E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers: Duhet t‘u besojmë më shumë grave në politikë

Në ditën ndërkombëtare kundër dhunës në familje, ajo që është mbështetur fuqimisht dhe është inkurajuar për më shumë shpresë dhe besim ka qenë gruaja.

Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Xhon Uidhers, deklaroi dje se Shqipëria ka pasur gjithmonë gra të shquara dhe kontributi i tyre duhet të jetë më i lartë në forume të ndryshme dhe në Parlament. Madje, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në vendin tonë theksoi se niveli i përfaqësimit prej 30 për qind i gruas shqiptare në zgjedhje duhet konsideruar thjesht si një minimum. Ky qëndrim i ambasadorit amerikan u përshfaq në forumin e hapur me temë "Fuqizimi politik i gruas", që u organizua dje në Tiranë.
"Tani është koha t‘u japim shpresë grave të reja dhe është me rëndësi parësore arsimimi i tyre, që është themeli i të kuptuarit të gjithçkaje që dëshironi, është themeli i aftësive tuaja për të arritur atë që i keni vënë qëllim vetes për të ardhmen", u shpreh ambasadori Uidhers në këtë takim.
Mes të tjerash, në fjalën e tij përshëndetëse, Uithers insistoi se ky takim duhet të shërbejë për ta rritur më tej rolin e grave në këto forume, të cilat duhet të mendojnë për të ardhmen e tyre, për rolin dhe kontributin e tyre në të ardhmen.
Në këtë kuadër, Uithers përmendi shumë gra të shquara shqiptare, duke filluar nga mbretëresha ilire Teuta, motra e Skënderbeut Mamica, e shumë të tjera, që bënë vepra të shquara për kohën kur jetonin. Madje, ai ka përmendur Presidentin e SHBA-së, Barak Obama, që, sipas tij, "nuk u ndal para çdo pengese e paragjykimi". Uidhers në qëndrimin e tij pro gruas shqiptare, theksoi gjithashtu se "vetëm me vendosmëri, pa u ndalur para asnjë pengese gruaja shqiptare do të mund të kontribuojë në zhvillimin e vendit, duke u bërë një aktore kryesore në të". Lidhur me dhunën në familje, sipas të dhënave të Ministrisë së Punës, gjatë periudhës nëntëmujore të këtij viti, numri i rasteve të denoncuara për ushtrim dhune në mjediset familjare arrin në 612. Ndërsa gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, janë raportuar mbi 600 raste të dhunës në familje, ku numrin më të madh e zënë ato mes bashkëshortëve. Nga hyrja në fuqi e ligjit "Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare", numri i rasteve të denoncuara për ushtrim dhune në ambientet familjare është rritur, kjo si pasojë e ndërgjegjësimit të viktimave, por edhe strukturave përkatëse për mbrojtjen e viktimave, falë edhe një fushate të gjerë dhe intensive informuese. Nisur nga ky numër në rritje, Drejtoria e Politikave të Shanseve të Barabarta në Ministrinë e Punës, vlerëson se dhuna në familje nuk është më një fenomen që mbyllet pas dyerve. Për herë të parë në legjislacionin shqiptar përfshihet një ligj për parandalimin dhe reduktimin e dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave të saj. Mbrojtja që garanton ky ligj nuk është vetëm në raportet bashkëshortore, por edhe në ato të pjesëtarit të familjes. Ligji sanksionon për herë të parë mbrojtjen nga dhuna në familje, si një të drejtë publike dhe jo private e anëtarëve të familjes.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›