E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjinushi: Vota për PSD është fitore për të majtën

Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, vijoi dje takimet e tij me strukturat socialdemokrate në Qarkun e Kukësit. PSD-ja paralajmëroi se rikthimi i Berishës do të ishte rikthim mbrapa, se aftësitë e tij qeverisëse Berisha i ka treguar që në ‘92-‘97. Prandaj, vijoi Gjinushi, edhe në 2005-ën ai nuk mund të ofronte as të renë, as ndryshimin, as përmirësimin. "Ku jemi sot pas 4 vjetësh? Pra, Shqipëria pas 4 vjet suksesesh të bujshme ndodhet në krizë, sepse PD-ja nuk garantoi atë çka premtoi, rritje të lartë të ekonomisë së vendit, ritme të larta madje dyshifrore. Kjo nuk është për shkak të krizës botërore, por ka ardhur nga paaftësia e qeverisë, ka ardhur nga papërgjegjshmëria e qeverisë, korrupsioni i lartë, nga konfliktet institucionale", u shpreh kreu i PSD-së. Gjinushi vuri në dukje se bashkimi i së majtës, ku PSD-ja bën pjesë, do të sjellë ndryshimin që i duhet vendit dhe çdo votë për këtë parti është votë për të majtën, është votë për fitoren e përbashkët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›