E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Obama i uron shqiptarët për festën e Pavarësisë dhe Kurban Bajramin



Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, dërgoi dje urimet me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor. “U dërgoj urimet më të ngrohta të gjithë atyre që do të festojnë Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë të shtunën. Këtu në Amerikë, - vazhdonte deklarata, - ata që e kanë origjinën shqiptare janë një pjesë e rëndësishme e këtij vendi”, - është shprehur presidenti Obama, duke theksuar se shpreson që miqësia mes dy vendeve dhe lidhjet e forta të vazhdojnë. Po gjatë ditës së djeshme presidenti Obama i ka dërguar Presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, një telegram urimi me rastin e festës së Kurban Bajramit, në të cilin shkruhet: “I dashur zoti President, në emër të popullit amerikan, Ju shpreh Juve dhe mbarë popullit shqiptar urimet e mia më të mira teksa festoni Kurban Bajramin e shenjtë dhe të gëzuar! I udhëhequr nga fryma e këtij festimi të bekuar, shpresoj që do të mundemi të punojmë së bashku për të arritur lirinë dhe paqen anembanë botës! Uroj që Ju dhe populli shqiptar të gëzoni lumturi dhe begati përgjatë vitit të ardhshëm!” – theksohet në mesazhin e urimit të presidentit amerikan drejtuar kreut të shtetit shqiptar.

Topalli takon drejtorin e BE-së për Zgjerimin, Mirel

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje në takim drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Europian, Pierre Mirel. Në takim u diskutua për hapat e ndërmarrë, për miratimin e legjislacionit dhe për reformat në plotësimin e detyrimeve për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, si dhe në procesin e liberalizimit të vizave. Kryetarja e Kuvendit e njohu zotin Mirel me ligjet e miratuara gjatë kësaj periudhe në Parlament dhe me diskutimet e gjera në komisione e në seanca plenare, ndërsa e siguroi atë se Progres-Raporti i Komisionit Europian është udhërrëfyes i punës së Parlamentit. “16 nëntori, - tha ajo, - ishte një datë shumë e rëndësishme për shqiptarët, sepse Këshilli i Ministrave të BE-së i tha ‘po’ kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, duke njohur kështu rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe progresin e Shqipërisë. Zoti Mirel dhe kryetarja e Kuvendit diskutuan edhe për vijimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve, veçanërisht në përafrimin e legjislacionit dhe për rritjen e kapaciteteve të Parlamentit.

27 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›