E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjinushi: Greva e Metës, për tu dobësuar

 

Intervista / Kreu i PSD-së paralajmëron një koalicion të gjerë të së majtës edhe me PBDNJ-në. Gjinushi flet edhe për ndryshimet në Kod

TIRANË- Arritja e krijimit të një federate të së majtës, do t’i kishte dhënë fund çdo debati mes partive të spektrit opozitar, qoftë për reformën zgjedhore, por edhe për luftën për më shumë pushtet. Kryetari socialdemokrat, Skënder Gjinushi, duke analizuar debatet politike, kryesisht për reformën zgjedhore, vlerëson se ndryshimet e bëra në Kod janë një hap pozitiv që duhet përshëndetur.

Z. Gjinushi, komisioni parlamentar për reformën në Kodin Zgjedhor është pothuajse në fund të punës së tij. Si një njohës i mirë i sistemeve zgjedhore, si do ta vlerësoni atë që është arritur të realizohet gjatë këtij procesi shumë të kontestuar?

Qëllimi kryesor i reformës zgjedhore, që për herë të parë mund të quhet reformë, ka qenë adaptimi i sistemit të ri zgjedhor. Megjithëse në fillim ka pasur një bindje, madje një mbështetje të gjerë që nuk ishte nevoja për të kaluar në një sistem të ri, sepse sistemi kushtetues ishte e mjaftueshëm, e i plotësonte gjithë parametrat dhe defekte nuk ishte i tij, por i politikës dhe veçanërisht i atyre që në emër të reformave zgjedhore, në fakt, deformuan Kodin Elektoral. Kjo bëri që në Kod sistemi të përkthehej në një sistem që nuk kishte të bënte me sistemin kushtetues dhe fenomeni dushk, të cilin shumë e përmendin dhe pak e kuptojnë, është në esencë pikërisht kjo: që sistemi ynë zgjedhor i sanksionuar në Kushtetutë, nuk ishte përkthyer siç duhet në Kodin Elektoral. Të gjithë kanë ndjekur tashmë debatin rreth sistemit të ashtuquajtur spanjoll, që u vendos në prill në Kushtetutë. Ka pasur kontestime, pasi në fillimet e veta ai u mor vetëm në mënyrë formale si një sistem proporcional-rajonal dhe, i marrë i tillë në kushtet e Shqipërisë, ai jepte një sistem proporcional me prag shumë të lartë. Gjatë negocimeve të mëtejshme, përfundimisht, në projekt-kodin e miratuar nga komisioni, u adaptua një sistem, i cili lejon koalicionet partiake, të tilla që çdo parti, ndonëse është në koalicion, të ketë nënlistën e saj, çka bën që sistemi të kthehet në një sistem proporcional me prag të moderuar, pra me një prag 2-3 deri 6-7%. I parë si i tillë, shumica e partive, madje atyre që protestojnë sot, kanë qenë për këtë lloj sistemi. Për ne, përderisa sistemi është i pranueshëm dhe kodi duhet të jetë i pranueshëm dhe esenca e zgjedhjeve është një sistem sa më i përshtatshëm. Ndonëse çdo sistem është demokratik, patjetër që ndryshimi i sistemit ndikon në politikën e një vendi, në momente të caktuara, dhe ndryshimi i papritur i tij për keq, p.sh., kalimi në mazhoritar, patjetër që mund të jetë i lidhur edhe me tendenca pastrimi apo eliminimi të partive të veçanta. Tani ne kemi një sistem që nuk mund të quhet negativ, ky është një sistem i pranueshëm dhe që lejon çdo parti të masë forcat e veta, duke filluar nga 3%. Mjafton kjo për të vlerësuar që reforma, të paktën këtë radhë, arriti të shkojë në parametra normalë, pra të mos ishte thjesht një reformë për dy të mëdhenjtë. Në shkurt-prill mund të themi se ishte një sistem pothuajse vetëm për dy partitë e mëdha, tani është një sistem për gjithkënd që vlerëson se ka një minimum elektorati dhe dëshiron të masë forcat ndershmërisht.

Ndërkohë, një nga pikat më të kundërshtuara të kësaj reforme, ka të bëjë me përbërjen e KQZ-së, ku disa forca të rangut të dytë kundërshtojnë reduktimin e numrit të anëtarëve të këtij institucioni, nga 9 në 7. PSD-ja çfarë qëndrimi mban për këtë çështje?

Për t’u kundërshtuar ishte kur KQZ-ja u bë me 9 anëtarë. Edhe për KQZ-në ka pasur debat midis dy shkollave, asaj demokratike për ta ruajtur atë siç ishte në Kushtetutë, dhe kushtetuta parashikonte një KQZ jopolitike, e atyre që donin një KQZ partiake. Megjithatë, duhet kujtuar se KQZ-ja është fjala e fundit, ajo mund të korrigjojë procesin zgjedhor, por nuk mund të përmbysë rezultatin e zgjedhjeve. Për ne, KQZ-ja duhet të jetë vetëm administruese zgjedhjesh, ankimimet të mbyllen në Kolegjin Zgjedhor.

Po përsa u përket komisioneve të niveleve të tjera?

Pjesët e tjera të Kodit janë teknike, p.sh., përbërja e komisioneve, ku historikisht këto komisione kanë qenë me 7 anëtarë, u provuan me 13 anëtarë dhe dështuan. Praktika tregoi se me 13 anëtarë ishte më keq se dushku, pra në zgjedhjet lokale u shfaq dushku i tavolinës. Komisionet duhet të jenë të kontrollueshme dhe numri 7 nuk është bërë në kurriz të njërës apo tjetrës parti, ndërsa vendet ndahen proporcionalisht, dhe proporcionaliteti nuk ka emër partie, por është me kriter.

Nisur pikërisht nga këto ndryshime, sidomos përsa i përket komisioneve të administrimit të votës, disa deputetë kanë paralajmëruar hyrjen në grevë urie. Keni një koment?

Çdo individ e di vetë se çfarë bën, mënyrën sesi proteston, nisur dhe nga kushtet e veta shëndetësore, por absolutisht këto nuk janë mjete apo forma për të zgjidhur problemet. Mbi të tëra ne nuk shohim arsye. Për PSD-në, nëqoftëse sistemi spanjoll do të rrinte i ashpër, apo i adaptuar keq, siç ishte deri para 3 muajsh, ky do të ishte një shkak më serioz për të dalë deri në protesta, sepse deformohej vota, ndërsa për çështje teknike është e vështirë të kuptohen këto forma proteste.

Z. Gjinushi, kemi parë ditët e fundit bashkimin e PD-së me PDR-në, ndërkohë që ju keni qenë një nga ideatorët e formimit edhe në të majtë të një federate të të gjitha forcave të sotme opozitare. Mendoni se është e mundshme arritja e konkludimit të një ideje të tillë?

Nëse partitë e majta do të kishin atë seriozitet që ka pasur PSD-ja në këtë drejtim dhe do të ishin të çliruara nga ajo që, së pari të shikohet interesi i përgjithshëm i votuesve, i mbështetësve, pra i të majtës dhe pastaj interesi i partive përkatëse, e ca më shumë i krerëve përkatës të partive, sigurisht që ky federim do të ishte realizuar, pra do të kishim tani një bashkim, e nuk do të kishim greva urie, por “do të hanim së bashku”. Është shumë e qartë për opinionin, veçanërisht për të majtën, se kush janë ata që nuk e duan bashkimin dhe që janë të gatshëm për të kaluar në përplasje e konflikte për 24 orë, ndërsa kur bisedohet për një vit rresht për bashkim, u duket i parakohshëm. Pra, duket se disa e kanë të qëllimshme ndarjen, disa e kanë si formë mbijetese përplasjen, pra janë individë që kanë dalë nga politika e konfliktit dhe përplasjes brenda së majtës dhe duan të mbijetojnë vetëm mbi këtë bazë e atmosfere. PSD-ja gjithmonë ka qenë për këtë bashkim, megjithatë dhe vetë sistemi detyron që ne të hyjmë si një grupim, pra PS-PSD-PDS-PBDNJ dhe parti të tjera, sepse duhet patjetër që e majta të dalë forcë e parë dhe kushdo që i bashkohet këtij grupimi do të thotë që është për fitoren e së majtës, e gjithkush që i kundërvihet, cenon dhe pengon një fitore të thellë të së majtës, sepse fitoren nuk e vë në dyshim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›