E Diel, 1 Nëntor 2026

Përbërja e KQZ-së, PDK-ja propozime të reja

 

Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, bëri dje publik projekt-amendamentin

TIRANË- Demokristianët këmbëngulin në rishikimin e përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga dy partitë kryesore në vend. Përmes një projekt-amendamenti të përgatitur, kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, ka kërkuar dje që KQZ-ja të përbëhet nga 9 anëtarë, dhe jo 7, siç është miratuar së fundmi nga komisioni për reformën. Sipas amendamentit të përgatitur nga kryetari i grupit parlamentar i PDK-së, Ndue Shpani, dy anëtarë të KQZ-së duhet të zgjidhen nga kandidatët e propozuar nga partitë politike të mazhorancës qeverisëse, përjashtuar partinë më të madhe të mazhorancës, që kanë numrin më të madh të vendeve në Kuvendin e Shqipërisë. E njëjta formulë duhet të ndiqet edhe për anëtarët e propozuar nga partitë politike të opozitës parlamentare. Prej ditësh PDK-ja i është bashkuar shqetësimit të disa partive të vogla lidhur me atë që ata e cilësojnë si marrëveshje të fshehtë mes dy partive kryesore, PD-ja dhe PS-ja, për përbërjen e re të KQZ-së. “Pasi arritën marrëveshjen e fshehtë për përjashtimin e anëtarit të PDK-së dhe LSI-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, PD-ja dhe PS-ja kanë vendosur të uzurpojnë edhe komisionet lokale, duke e krijuar komisione bipartizane dhe militante, të gatshme të vjedhin vota, siç kanë bërë në 12 vitet e fundit”, - tha dje kryetari i PDK-së, Nard Ndoka. Pikërisht për këtë arsye, demokristianët kanë kërkuar një përbërje tjetër edhe në komisionet e zonave të administrimit të zgjedhjeve. Sipas amendamentit, anëtarë të komisionit duhet të ketë çdo grupim politik i koalicioneve të përbëra, pjesë e të cilit koalicion të jetë, të paktën, një parti parlamentare. Po sipas projektit, anëtarë të komisionit duhet të ketë çdo parti parlamentare që konkurron e vetme në zgjedhje. Kjo mënyrë e formatimit të KZAZ-së, sipas Ndokës, duhet të zbatohet edhe për formimin e KQV-ve dhe grupeve të numërimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›