E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjinushi: Jam pro referendumit për Kushtetutën

Kreu socialdemokrat, Skënder Gjinushi, shpjegoi dje mungesën e tij në protestën e të shtunës të partive opozitare dhe qytetarëve për kërkesën e një referendumi për Kushtetutën e vendit.

"Ishte një mungesë jo pa dashje, sepse ishte një aktivitet politik kryesisht i LSI-së, pastaj ishte i Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës", tha Gjinushi. Duke mbështetur idenë e referendumit si e drejtë kushtetuese e popullit, Gjinushi shtoi se, ai duhet të realizohet me vullnetin e popullit. "Komiteti është shprehur se kërkesa për referendum nuk i kundërvihet patjetër njërit apo tjetrit, është një kërkesë e ligjshme, është një e drejtë e shqiptarëve të shprehen për ndryshimet thelbësore në Kushtetutë dhe referendumin mund ta mbështesin të gjithë, qoftë edhe ata që kanë votuar pro ndryshimeve për një arsye apo një tjetër. Prandaj edhe ne i jemi bashkuar idesë si normë kushtetuese, kurse veprimeve partiake të partive të ndryshme politike ne mbajmë pozicionet tona", vijoi kreu socialdemokrat. PSD-ja edhe pse kishte firmosur ditën e ngritjes së Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, nuk ishte prezente në mitingun e të shtunës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›