E Diel, 1 Nëntor 2026

Petrit Vasili: Kalluci ishte përjashtuar nga LSI-ja për falsifikim

Ish-kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, dega Fier, Haxhi Kalluci, deklaroi dje bashkimin me Partinë Socialiste.

Nënkryetari i Bashkisë Fier, mësohet se ka kaluar te PS-ja që prej gjashtë muajsh, pas përjashtimit të tij nga LSI-ja. Në një prononcim për mediat, Kalluci, së bashku me mbështetësit e tij, i kërkoi elektoratit që t'ia japin votat PS-së, pasi ishin zhgënjyer nga politika totalitare e Metës. Por i menjëhershëm ishte reagimi i degës lokale të LSI-së Fier. Kryetari i degës së LSI-së, Fredi Çuko, e akuzon Kallucin për rezultate të dobëta në zgjedhjet e 18 shkurtit, për monopolizim të partisë, përfitime personale dhe abuzime me financat e partisë. Sipas Çukos, kryesia e re e degës së LSI-së në Fier ka mbledhur fakte dhe prova materiale për ta paditur penalisht ish-drejtuesin e LSI-së, njëkohësisht n/kryetar i Bashkisë së Fierit. Ndërkaq sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, sqaroi dje se Haxhi Kalluci ka kohë që është përjashtuar nga LSI-ja. "Kalluci është shkarkuar prej mëse një viti nga detyra e kryetarit të degës së LSI-së Fier, me vendim të kryesisë qendrore dhe prej asaj kohe nuk është përfaqësues i lëvizjes sonë", tha sekretari i Përgjithshëm i LSI-së. Ai shpjegoi se Kalluci u shkarkua pasi falsifikoi listën e kandidatëve për në Këshillin Bashkiak të Fierit, pas zgjedhjeve të 18 shkurtit të vitit të kaluar, duke vendosur në vend të anëtarëve tanë, të afërm dhe miq të tij. Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, sqaroi se "asnjë anëtar i LSI-së dega Fier nuk i është bashkangjitur Partisë Socialiste, ashtu siç pretendon ish-kreu i kësaj dege, i shkarkuar prej mëse një viti nga detyra si falsifikator". "Nuk e kuptoj këtë paraqitje të zoti Kalluci sot në media, kur dihet se prej mëse 6 muajsh, ai është anëtar i rregullt i PS-së dhe nënkryetar i Bashkisë në rrethin e Fierit, po si përfaqësues i PS-së", vijoi Vasili. Duke hedhur poshtë pretendimet e ish-kreut të LSI-së dega Fier, se nga kjo forcë janë larguar 150 anëtarë të tjerë, Vasili shtoi se, "kjo nuk është aspak e vërtetë, madje kohët e fundit në rrethin e Fierit janë regjistruar 900 anëtarësime të reja".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›