Sistemi proporcional rajonal, aleatët debat me Berishën
Aleatët e Partisë Demokratike në qeverisje i janë nënshtruar vullnetit të saj në lidhje me sistemin zgjedhor që do të përdoret në të ardhmen. Ndonëse partitë aleate, pa përjashtim, kanë qenë kundër sistemit të propozuar nga Partia Socialiste për proporcional rajonal, i pranuar edhe nga PD-ja, kundërshtitë e tyre janë ndalur në takimin me kryeministrin Berisha. Takimi i zhvilluar dje në zyrën e kryeministrit me dyer të mbyllura nuk ka vendosur praktikisht asgjë. Burime pranë takimit sqarojnë se kryeministri Sali Berisha u ka shprehur kryetarëve aleatë se ai është i patundur për sistemin proporcional rajonal. Njëkohësisht ai u ka bërë të ditur se nëpërmjet këtij sistemi, ndonëse penalizon partitë e vogla, mund të gjenden forma bashkëpunimi nga më të ndryshme në mënyrë që këto forca të jetë në përfaqësuara në Kuvend. Ndonëse kundër këtij këndvështrimi të kryeministri Berisha, aleatët duket se kanë qenë të detyruar të pranojnë pavarësisht se në takim kryeministrit i kanë shprehur hapur kundërshtinë e tyre. Zyrtarisht do të vazhdojnë më tej konsultime juridike për të parë mënyrën e funksionimit të sistemit proporcional rajonal në mënyrë që të gjenden forma dhe mënyra për të hyrë në Parlament. Jashtë takimit, kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, tha se do të vazhdojnë më tej konsultimet për sistemin zgjedhor. “Ishim këtu për të diskutuar më qartë në koncept të gjitha propozimet që janë, pastaj për të folur për të gjetur marrëveshje ose për të mos gjetur marrëveshje. Jemi të vendosur për të diskutuar”, - tha Mediu për mediat. Më optimist është shprehur kryetari demokristian Nard Ndoka, i cili tha se u gjet rruga e komunikimit. “Pati një debat konstruktiv. Është gjetur gjuha e mirëkuptimit. U kërkuan shpjegime edhe për ndryshimet kushtetuese. Do të ketë edhe një takim mes ekspertësh”, - tha Ndoka. Nga ana tjetër, i pyetur edhe nga media, Fatmir Mediu tha se mundësia e daljes nga koalicioni me PD-në do të shqyrtohet vetëm pas konsultimeve. “Pasi të mbarojmë konsultimet”, - iu përgjigj Mediu pyetjes për mundësinë e daljes nga koalicioni. Ndërkohë është vendosur se ditën e sotme të mbahet një takim me nivel ekspertësh për të interpretuar mënyrën e funksionimit të sistemit.
Oborri Mbretëror: ”Ndryshimet, jo pronë e partive të mëdha”
Oborri Mbretëror Shqiptar ka reaguar ditën e djeshme në lidhje me ndryshimet kushtetuese të hartuara nga Partia Socialiste dhe ajo Demokratike. Monarkistët shqiptarë janë shprehur se zhvillimet demokratike kërkojnë domosdoshmërisht ndryshime, por ato të mos monopolizohen nga format e mëdha politike në vend. “Zhvillimet demokratike në Shqipëri kërkojnë si domosdoshmëri ndryshime të vazhdueshme. Kjo është edhe dialektika e jetës. Në asnjë mënyrë, këto ndryshime nuk duhet të jenë pronë e forcave të mëdha politike, por ato duhet të kenë konsensusin e të gjithë klasës politike, e çka është më e rëndësishme, miratimin e shqiptarëve. Qytetarëve u nevojitet një spektër politik sa më i gjerë dhe i shumëllojshëm”, - thuhet në deklaratën për shtyp të Oborrit Mbretëror.
15 Prill 2008