E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: Protesta kundër paktit PS-PD



Lëvizja Socialiste për Integrim ka paralajmëruar protesta popullore për të mos lejuar prekjen e Kushtetutës si dhe për të kundërshtuar propozimet e dy partive të mëdha përsa i përket sistemit elektoral dhe çështjeve të tjera që lidhen me reformën zgjedhore. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha se LSI do të zhvillojë protesta masive në të gjithë vendin për të kundërshtuar paktin midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Vasili e ka cilësuar miratimin e ndryshimeve kushtetuese nga PD-ja dhe PS-ja si faqen tjetër të medaljes së kodit të Gërdecit. Protestat që do të organizohen nga Lëvizja Socialiste për Integrim do të kenë përkrahjen e Partisë Aleanca Demokratike dhe Partia Demokracia-Sociale, ndërkohë që kryetari i Partisë Social-Demokrate, Skënder Gjinushi, nuk e përjashtoi mundësinë për të mbështetur dhe përkrahur protestën që do të organizojë Lëvizja Socialiste për Integrim. Ai tha se PSD e konsideronte të hapur temën e referendumit për të mos prekur Kushtetutën. Vendimi i LSI-së për të protestuar ndaj paktit të PS-PD-së për reformën zgjedhore dhe prekjes së Kushtetutës duket se e ka pasur zanafillën që pas miratimit të Rezolutës së Konventës Kombëtare të LSI-së. Në disa prej pikave të kësaj rezolute thuhej: “Konventa dënoi marrëveshjen okulte të lidershipit PD-PS për ndërmarrjen e një reforme zgjedhore të pandershme, jotransparente, përjashtuese e të njëanshme. Kjo pseudoreformë cenon rëndë barazinë e votës, stimulon sëmundjen e vjetër të krahinarizmit politik, i shërben pushteteve personale të kryetarëve të partive nëpërmjet aplikimit të listave të mbyllura, synon të realizojë interesat e ngushta të të dy lidershipëve PD-PS, duke grabitur në tavolinë votat e shqiptarëve e duke thelluar në këtë mënyrë krizën e përfaqësimit e riprodhuar ‘Dushqe’ të tjera zgjedhore”. Konventa Kombëtare shprehu shqetësimin e saj të thellë për tentativën për një puç antikushtetues të lidershipit PD-PS, duke ndërhyrë në mënyrë të papërgjegjshme në Kushtetutën e vendit, për të deformuar thelbin e saj dhe për të krijuar diktatura personale të individëve të veçantë me pushtet politik.
Konventa Kombëtare i kërkoi me forcë lidershipit të LSI-së t’u kundërvihet pa asnjë ekuivok tentativave të tilla tepër të rrezikshme e të ndërmarrë të gjitha aksionet e nevojshme demokratike, politike e qytetare për parandalimin e tyre.

15 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›