E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet sistemi rajonal, në zgjedhje do të votohet vetëm për partitë

Komisioni i Ligjeve kalon në parim ndryshimet në Kushtetutë. Miratohen propozimet e PS-së për reformën zgjedhore

Erald Kapri

Komisioni i Ligjeve ka miratuar në parim ndryshimet në Kushtetutë përsa i përket sistemit zgjedhor në Shqipëri. Zgjedhësit shqiptarë në zgjedhjet e vitit 2009 do të votojnë vetëm me një letër votimi ku do të kenë mundësi të votojnë vetëm për subjektet politike. Për herë të parë që nga fillimi i pluralizmit politik, fleta e votimit nuk do të ketë emra individësh për vetëm emrat e partive politike. Miratimi në parim i ndryshimeve në Kushtetutë ka hapur rrugën e diskutimeve të gjëra të Kodit Zgjedhor dhe të detajeve të mëtejshme të sistemit. Ndryshimet në Kushtetutë kanë përcaktuar sistemin zgjedhor shqiptar, i cili do të jetë proporcional rajonal me 12 zona zgjedhore sipas qarqeve administrative. Ndërkohë, në ndryshimet kushtetuese të miratuara dje, PD-ja ka propozuar dhe shfuqizimin e pjesë së 12-të të Kushtetutës, që lidhet me funksionimin e KQZ-së. “KQZ-ja funksionon me kompetenca të qarta të përcaktuara në Kodin Zgjedhor”, - tha kryetari i komisionit, Fatos Beja.
Ndryshimet e sistemit
Kushtetutës do t’i preken tri nene përsa i përket ndryshimit të formës së sistemit zgjedhor. Ndryshimet e miratuara në parim prekin nenet 64, 65 dhe 68 të Kushtetutës si dhe në shfuqizimin e pjesës 12 të aktit themeltar të shtetit, që bën fjalë për KQZ-në. Në nenin 64 sanksionohet se Kuvendi ka 100 deputetë, që zgjidhen në 100 nga zonat një-emërore ose drejtpërdrejt dhe 40 deputetë nga lista shumemërore. Ky nen do të ketë këtë përmbajtje: ”Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore. Zona zgjedhore shumemërore përputhet me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativo-territorial”. Ndryshim formal dhe esencial ka pësuar edhe neni 65, i cili aktualisht sanksionon se zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen 60 deri në 30 ditë para mbarimit të mandatit dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së tij. Sipas ndryshimit, ky nen përcakton se mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjes dhe përfundon ditën e mbledhjes së parë të Kuvendit të ri. Ndryshim rrënjësor ka edhe neni 68, i cili përcakton se kandidatët për deputetë mund të paraqiten vetëm nga partitë politike, nga koalicionet e partive, si dhe nga zgjedhësit. Ndërkohë, sipas mendimit, është përcaktuar se kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm në një zonë zgjedhore dhe vetëm për një nga subjektet propozuese. Në rast se kandidatët paraqiten me lista shumemërore, renditja e kandidatëve në këto lista nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes së listës në komisionin zgjedhor përkatës. Në Kodin Zgjedhor do të detajohen të gjitha elementet e tjera të sistemit si menaxhimi i përgjithshëm i procesit zgjedhor.
Ndryshimet e tjera
Propozimet e tjera për ndryshime në Kushtetutë do të diskutohen gjerësisht ditën e sotme. Një paketë propozimi ka ardhur nga Partia Demokratike. Ndryshimet e iniciuara nga PD-ja parashikojnë ndryshim të neneve 87, 88, 104 dhe 105 të Kushtetutës, që lidhen me procedurat e zgjedhjes së Presidentit. Ndërkohë, PD-ja kishte propozuar edhe një amendim në nenin 93 të Kushtetutës, por u tërhoq pas debateve brenda Grupit Parlamentar të PD-së. “Nisur nga konsultimet brenda Grupit Parlamentar të PD-së, vendosëm të tërheqim propozimin për ndryshim të nenit 93 të Kushtetutës, pasi sipas praktikës shqiptare, kjo është e panevojshme”, - tha relatorja Arenca Trashani.

Amendimet në Kushtetutë

Neni 64 i amenduar
Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumëmërore. Zona zgjedhore shumemërore përputhet me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativo-territorial.
Neni 65 i amenduar
Kuvendi zgjidhet për katër vjet. Mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjes dhe përfundon ditën e mbledhjes së parë të Kuvendit të ri. Zgjedhjet për Kuvendin e ri zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt me të njëjtën datë, të të njëjtit muaj të vitit të katërt, me datën e mbledhjes së parë të Kuvendit. Në rast shpërndarje të Kuvendit, para përfundimit të mandatit të plotë zgjedhjet thirren jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së tij. Ligji zgjedhor përcakton periudhat zgjedhore dhe rregullat për thirrjen e zgjedhjeve për Kuvendin. Kuvendi nuk mund të nxjerrë ligje gjatë periudhës 60 ditë para mbarimit të mandatit të tij, deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri, me përjashtim të rasteve të vendosjes së masave të jashtëzakonshme.
Neni 68 i amenduar
Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm në një zonë zgjedhore dhe vetëm për një nga subjektet propozuese. Në rast se kandidatët paraqiten me lista shumemërore, renditja e kandidatëve në këto lista nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes së listës në komisionin zgjedhor përkatës. Në ligjin për zgjedhjet përcaktohen edhe kriteret dhe rregullat e tjera të nevojshme për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, përfshirë ato për regjistrimin e zgjedhësve, zhvillimin e fushatës zgjedhore, administrimin, vlefshmërinë e zgjedhjeve dhe shpalljen e rezultateve të tyre.

15 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›