Gjinushi: “Kodi të votohet sa më shpejt, të korrigjohet vetëm dekreti i Presidentit”
Kryetari i Partisë Social-Demokrate, Skënder Gjinushi, ka përshëndetur deklaratat e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe deklaratat e ambasadorëve të Bashkimit Europian dhe të OSBE-së, të cilat shprehnin mbështetje për institucionet e pavarura si dhe për realizimin e reformës zgjedhore dhe të reformës në Drejtësi. Duke u ndalur te reforma zgjedhore, Gjinushi kërkoi votimin e menjëhershëm të Kodit Zgjedhor, duke korrigjuar vetëm pjesën e kthyer nga Presidenti i Republikës. “Ne si PSD kërkojmë publikisht dhe urgjentisht që të mos bllokohet më tej Kodi Zgjedhor, të votohet menjëherë ndryshimi i kërkuar nga Presidenti i Republikës për të zhbllokuar procesin dhe për të mundësuar përgatitjen në kohë të zgjedhjeve. Që sot vihen në rrezik standardet e zgjedhjeve në 2009-n, kusht ky i domosdoshëm për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, - tha Gjinushi. Kryetari i PSD-së iu kundërpërgjigj diversionit të bërë nga kryeministri Berisha, sipas të cilit PS-ja dhe LSI-ja duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët për dhënien e komisionerit LSI-së. “Përsa i takon diversionit të Berishës për anëtar komisioni, i kujtojmë se 8 përqindëshi i LSI në 2005-n ka qenë një votë që e solli Berishën në pushtet, kështu që është detyrimi i tij ta shpërblejë këtë votë duke dhënë një anëtar komisioni nga PD-ja, meqenëse ajo ka 2. I kujtojmë Berishës se diversioni i 2005-s nuk ka për të ecur përsëri në 2009-n, pra humbja e tij në çdo rast është e thellë dhe e sigurt”, - tha Gjinushi. Gjatë konferencës së djeshme për shtyp kryetari i PSD-së kundërshtoi gjithashtu deklaratën e INSTAT-it, sipas së cilës Shqipëria ka pasur një bum ekonomik prej 10 përqindësh. Gjinushi tha se një deklaratë e tillë, e urdhëruar nga kryeministri Berisha, nuk është absolutisht e vërtetë. “Këto deklarata tingëllojnë tepër hipokrite për shqiptarët që ndodhen në varfëri, që ndodhen të papunë dhe janë një paralajmërim i krizës së thellë të kësaj qeverie e në çdo rast janë një shenjë e qartë që efekti i këtij manipulimi është vetëm humbja e PD-së në 2009-n”, - tha Gjinushi.
19 Dhjetor 2008