E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja bojkoton Kuvendin deri në miratimin e Kodit Zgjedhor

Leskaj: “Sali Berisha po bllokon realizimin e reformës zgjedhore”. Patozi mohon akuzat e opozitës: “Ekspertët po punojnë me dekretin”

Eljona Ballhysa
Deputetët e Partisë Socialiste kanë braktisur dje sallën e Kuvendit ndërsa kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në seancë deri në futjen për votim të Kodit Zgjedhor. Një ditë pas thirrjes së kryeministrit Berisha për konsensus midis PS-së dhe LSI-së për kërkesat që kjo e fundit ka për reformën zgjedhore, ka reaguar Grupi Parlamentar i PS-së. Kryetarja e këtij Grupi, Valentina Leskaj, ka akuzuar kryeministrin Berisha për bllokim të reformës zgjedhore me qëllim krijimin e diversionit midis partive të kampit të majtë. Fill pas saj ka reaguar kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i cili ka hedhur poshtë akuzat e opozitës ndërsa ka bërë të ditur se komisioni i reformës zgjedhore ka angazhuar ekspertët për të ndryshuar Kodin në ato dy nene që sugjerohen në dekretin e Presidentit të Republikës.
Akuzat
Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, gjatë fjalës së mbajtur dje në seancën parlamentare, kritikoi vonesat në futjen për miratim në kalendarin e punës së Kuvendit të Kodit Zgjedhor. “Keni bllokuar komisionin për Kodin me urdhër të kryeministrit, i cili përpiqet ta mbajë peng për arsye të veta private, për motive për të cilat po godet edhe sistemin e drejtësisë. Në vend që Komisioni i Kodit Zgjedhor të marrë në shqyrtim dekretin e Presidentit dhe të propozojë zgjidhjen juridike që tashmë e ka gjetur, bllokoni në mënyrë të njëanshme komisionin duke vonuar procesin jashtë çdo logjike juridike. Ky është një ligj i hartuar me konsensus, i miratuar me një shumicë të cilësuar si asnjëherë tjetër dhe që qëndron në krye të çdo reforme në vend. Nëse është i interesuar për reforma, kryeministri të zhbllokojë komisionin, të mos bëjë diversion e dyfytyrësi”, - është shprehur Leskaj. Ajo bëri të ditur se vonesat në miratimin e Kodit rrezikojnë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas Leskajt, rrezikohet seriozisht procesi i listave të zgjedhësve, i cili me dispozitat aktuale të Kodit është parashikuar të fillojë 15 ditë pas dekretimit të zgjedhjeve, duke i dhënë 30 ditë kohë hartimit të tyre. “Pra, në rastin më të mirë, listat paraprake me këtë skenar do të jenë gati në fund të muajit mars, pra vetëm tre muaj para zgjedhjeve. Kjo do të ngushtojë kohën e rishikimit të listave nga zgjedhësit”, - është shprehur Leskaj. Po kështu, sipas saj rrezikohet formimi i KQZ-së. “Me skenarin e lartpërmendur KQZ në rastin më të mirë do të ngrihet në fund të shkurtit 2009, pra vetëm 4 muaj para zgjedhjeve. Ndërkohë, ligji e ngarkon KQZ-në me një sërë detyrash të pazëvendësueshme dhe që KQZ-ja aktuale nuk mund t'i kryejë”, - është shprehur përfaqësuesja e PS-së në Kuvend. “Duke vlerësuar që zgjedhjet e lira janë në rrezik dhe duke mos u bërë pjesë e lojës politike të kryeministrit, Grupi i PS-së nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit derisa të vijë në Kuvend për miratim dekreti i Presidentit për Kodin Zgjedhor”, - është shprehur Leskaj në fund të fjalës së saj. Më pas, deputetët e PS-së janë larguar nga salla e Kuvendit.
Maxhoranca
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, në replikë me Leskajn tha se protesta e PS-së nuk ka asnjë lidhje me maxhorancën. Duke sqaruar zhvillimet e fundit, pas kthimit nga Presidenti të ligjit për Kodin Zgjedhor, Patozi tha se ngritja e komisionit për reformën zgjedhore është miratuar me konsensus dhe se aktualisht ky komision është proces pune dhe se nuk është bllokuar. “Dihet botërisht se ne e kemi votuar bashkarisht Kodin dhe nuk kemi pasur asnjë divergjencë për ta kaluar. Në një farë mënyre kemi pasur qëndrim të përbashkët lidhur me kthimin e tij në Kuvend, duke e konsideruar një gabim që nuk duhet të ndodhte dhe një lëvizje të paqëlluar ose të evitueshme të Presidentit të Republikës. Kemi vendosur bashkarisht që ringritja e komisionit për shqyrtimin e dekretit të Presidentit ishte e vetmja formë që lejonte rregullorja për kapërcimin e situatës. Deri tani është zhvilluar vetëm një mbledhje e komisionit, i cili ka ngarkuar ekspertët për ndryshimet e nevojshme që kërkohen, për ta votuar Kodin bashkarisht këtu. Pra, kemi një rakordancë të plotë dhe unë nuk e kuptoj se kujt i drejtohet protesta e Grupit Parlamentar të PS-së”, - është shprehur Patozi.

19 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›