E Diel, 1 Nëntor 2026

Larcher-Topalli: “Do të bëjmë përpjekje që Sarkozi të vizitojë Shqipërinë”



Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, gjatë vizitës që është duke zhvilluar në Francë është pritur dje nga kryetari i senatit francez Gerard Larcher.
Kryetarja e Kuvendit, sikurse edhe në takimet e tjera, i përcolli kryetarit të Senatit, i njohur si një nga bashkëpunëtorët e afërt të Presidentit Sarkozi, dëshirën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve që Presidenti i Francës, si njëri ndër mbështetësit kryesorë të çështjes shqiptare, të bëjë një vizitë në Tiranë. Larcher, i cili njihet si krahu i djathtë i presidentit Sarkozi, u përgjigj se do të bëjë përpjekje që Presidenti i Francës të zhvillojë një vizitë në Tiranë. Më tej biseda midis dy personaliteteve u fokusua në gjetjen e mjeteve dhe rrugëve për të konkretizuar bashkëpunimin mes institucioneve respektive duke i njohur këtyre institucioneve rolin për të nxitur bashkëpunim mes dy vendeve edhe në fusha të tjera si dialogu politik, bashkëpunimi ekonomik, krijimi i garancive për tërheqjen e investitorëve francezë dhe sigurimi i investimeve të tyre. “Kemi diskutuar për punën që kemi bërë prej kohësh dhe bëmë një bilanc të situatës në Ballkanin Perëndimor. Ne ndajmë të njëjtin vullnet për paqen dhe stabilitetin në rajon. Folëm për MSA-në, të cilën e votuam pak ditë më parë, si dhe për protokollin e NATO-s. Kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme dhe për Samitin e Strasburgut që përbën një takim shumë të rëndësishëm. Ne njëkohësisht biseduam për çështje konkrete të aspektit ekonomik. Kemi konstatuar se shkëmbimet ekonomike nuk janë në nivelin e miqësisë dhe mirëbesimit mes dy vendeve”, - është shprehur Larcher. Ndërsa Topalli konfirmoi se Senati francez do të miratojë së shpejti dhe Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Gjatë qëndrimit të saj në Francë, kryetarja e Kuvendit zhvilloi takime edhe me grupet e miqësisë si dhe nga Komisionet e Jashtme të Asamblesë dhe Senatit si dhe mjaft deputetë të tjerë.

19 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›