E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “PS-ja, e gatshme për të biseduar me gjithkënd për ligjin e dosjeve”



Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka përshëndetur dhe falënderuar deklaratat kundërshtuese të qeverisë amerikane dhe të OSBE-së ndaj projektligjit të propozuar nga maxhoranca për çështjen e dosjeve. Rama tha se qëndrimi i Partisë Socialiste është për hapjen e të gjitha dosjeve, ndërkohë që shprehu gatishmërinë e selisë rozë për t’u ulur dhe diskutuar me të gjitha palët e interesuara, për të hartuar një ligj të standardeve evropiane në lidhje me çështjen e dosjeve. “Duke falënderuar qeverinë e SHBA-ve dhe OSBE-në për ndihmën e paçmuar që ofruan edhe në këtë rast, përsëris se duam hapjen e dosjeve, e të gjitha dosjeve. Përsëris se jemi gati të ulemi në tryezë, me të gjitha palët e interesuara e me ekspertët ndërkombëtarë, për të kryer me dinjitet e seriozitet një proces të hapur e koherent dhe për të votuar, me të gjithë bashkë, një ligj të standardeve europiane, që garanton realisht shlyerjen e një detyrimi të madh shoqëror jo vetëm ndaj së shkuarës, po edhe ndaj të ardhmes, jo vetëm ndaj të përndjekurve të së djeshmes, po edhe ndaj qytetarëve të së nesërmes”, - deklaroi dje gjatë një konference për shtyp kryetari i PS-së, Edi Rama.

Projektligji
Duke folur për projektligjin e propozuar nga maxhoranca, Rama tha se ai projektligj ishte thjesht dhe vetëm një shfaqje e turpshme e kryeministrit Berisha me dosjet e komunizmit për të mbuluar dosjet e korrupsionit të qeverisjes së tij. Kreu i PS-së përshëndeti deklaratat e faktorit ndërkombëtar, të cilat e cilësuan antikushtetues këtë projektligj. “Opozita shqiptare, qeveria e SHBA-ve dhe OSBE-ja mbrojnë praktikisht të njëjtin mendim në kundërvënien ndaj projektit të papranueshëm të Sali Berishës: Ky është një projekt antikushtetues. Kambanat bien përsëri për Sali Berishën. Ai duhet ta kuptojë se dosjet e mëkateve të së shkuarës ndaj një populli të tërë nën diktaturë nuk hapen duke shkelur Kushtetutën e votuar nga populli në demokraci. Dosjet e mëkateve të regjimit, të cilit Sali Berisha i shërbente dje, nuk hapen për të mbuluar mëkatet e qeverisë që Sali Berisha drejton sot”, - vijoi Rama.

Dosjet
Kreu i selisë rozë tha se dosjet e pushtetit komunist nuk duhen hapur për të fshehur lidhjet e qeverisë së Berishës me botën e korrupsionit, as për të penguar hetimin e mekanizmave për aferat korruptive të qeverisë, as për të shkatërruar sistemin gjyqësor në Shqipëri, por për të vënë në vend drejtësinë. “Dosjet, që zbulojnë fijet me të cilat pushteti komunist përçonte në çdo qelizë të shoqërisë së djeshme terrorin psikologjik, dhe mekanizmat e njerëzit përmes të cilëve ai regjim kriminal ushtronte dhunën e diktaturës së proletariatit, nuk hapen për të fshehur fijet që lidhin sot qeverinë e Sali Berishës e vetë kryeministrin me botën e përfitimeve të paligjshme dhe as për të penguar hetimin e mekanizmave e të njerëzve, përmes të cilëve diktatura e sotme e korrupsionit bëri krimin e Gërdecit, grabitjen e fondeve të rrugës së kombit apo pasurimin marramendës të sekserit serb të kryeministrit të Shqipërisë. Dosjet e padrejtësisë barbare që quhej komunizëm dhe që bazohej në zellin e verbër të shërbëtorëve të komunizmit si Sali Berisha, nuk mund të përdoren për të shkatërruar në rrugë antikushtetuese pushtetin gjyqësor, duke bërë një padrejtësi të re ndaj popullit shqiptar.
Sali Berisha nuk mund t'i kërkojë llogari as opozitës dhe as prokurorëve e gjykatësve pse merren me lulet e korrupsionit në oborrin kryeministror. Ai duhet t'u japë llogari të përndjekurve, që i qan me fjalë e i tall me vepra, se ku kanë shkuar 16 milionë dollarët që ai ka miratuar në Parlament në tri vite, për dëmshpërblimin e tyre, dhe pse asnjë qindarkë e vetme dëmshpërblim nuk u është dhënë sot e gjithë ditën të përndjekurve politikë”, - tha kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama.

G99-a: Qeveria nuk e vë ujin në zjarr për emigrantët shqiptarë

Në ditën ndërkombëtare të Migrantëve, lëvizja “G99” akuzoi qeverinë se nuk ka bërë asnjë përpjekje minimale për të ndihmuar dhe mbrojtur të drejtat e qindra mijëra emigrantëve shqiptarë në botë. Aktivisti i G99-s, Ralf Gjoni, vendosi në epiqendër të kritikave të tij ministrin e Jashtëm Lulëzim Basha. Sipas Gjonit, të drejtat e emigrantëve shqiptarë nuk mund të mbrohen nga një ministër shtegtar, i cili po i përqendron energjitë e tij me problemet personale që ka me korrupsionin.
“Qeveria shqiptare nuk ofron as kushtet më minimale në shërbimet e saj konsullore në vendet me përqendrim të madh emigrantësh. Ambasadat shqiptare vuajnë nga mungesa e kapaciteteve dhe nga stafi i paaftë dhe i korruptuar, shpeshherë i emëruar për arsye politike apo për hir të lidhjeve familjare me ministra të caktuar. Po ashtu, nisma për shkollimin e fëmijëve të emigrantëve në gjuhën amtare ka ngelur një utopi. Jo vetëm kaq, por kjo qeveri dhe ministri i saj i Jashtëm, Basha, nuk e ka vënë aspak ujin në zjarr për të bërë avokatinë e tyre. Vlen të përmendim këtu rastet e keqtrajtimeve të emigrantëve tanë në Greqi e gjetkë. Në fakt, këto dështime nuk duhet të na çudisin. Qeveria ‘Berisha’ dhe ministri Basha po e përqendrojnë energjinë dhe kohën te problemet e tyre personale me korrupsionin, dhe patjetër që për ta, qytetarët brenda apo jashtë vendit, nuk janë prioritet”, - tha aktivisti i G99-s, Ralf Gjoni.

19 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›