E Hënë, 2 Nëntor 2026

Konflikti Berisha-Topi fut në krizë diplomacinë

Shqipëria ende nuk ka ambasador në Kosovë. Mungojnë ambasadorët në 15 vende të botës

Eljona Ballhysa
Marrëdhëniet e ftohta midis kryeministrit dhe presidentit konfirmohen më së miri në fushën e diplomacisë. Prej kohësh, shteti shqiptar nuk përfaqësohet në nivel ambasadorësh në disa vende të Europës dhe të botës për shkak se dy figurat kryesore të vendit nuk gjejnë gjuhën e përbashkët për emrat që propozohen. Këtë e ka vënë në dukje dje, gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, deputeti i Partisë Socialiste, Qemal Minxhozi. Ai bëri të ditur se qeveria shqiptare ende nuk ka emëruar ambasadorin e saj në Kosovë. Po kështu, ambasadorët mungojnë edhe në shtete të rëndësishme si Gjermania e Rusia. Sipas Minxhozit, kjo dëmton jo vetëm imazhin e Shqipërisë, por edhe çështjen kombëtare, pasi mungesa e ambasadorëve ndodh në një moment historik ku Shqipërisë i duhet të lobojë për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Deklarata
“Shqipëria është i vetmi vend që nuk ka ambasadorë në Kosovë ndër vendet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Janë 15 vende që në Prishtinë kanë vendosur ambasadorët e tyre dhe mungon emri i Shqipërisë. Kjo është e pafalshme. Është paradoksale dhe nuk është aspak në interesin kombëtar”, - është shprehur Minxhozi, ndërsa shtoi se në Kosovë mungon ambasadori i Shqipërisë që nga maji i vitit 2007. Më tej, deputeti socialist bëri të ditur se Shqipëria nuk ka ambasador në Egjipt, i cili është ndër vendet që po bën lobing që vendet arabe të mos njohin pavarësinë e Kosovës. Po kështu, edhe në Moskë mungon ambasadori shqiptar, ndërkohë që pritet që Rusia të zbusë qëndrimin e saj lidhur me pavarësinë e Kosovës. “Këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me një mungesë respekti ose një mungesë reciprociteti me shtetet përkatëse, por shumë më gjerë, që e paguajmë edhe në çështje që ne jemi shumë të interesuar siç është njohja e pavarësisë së Kosovës, siç është lobingu që duhet të bëjmë për këtë vend në mënyrë që ky të futet në rrugën e demokracisë. Po të vazhdojmë me hartën e gabimeve të rënda të diplomacisë sonë, janë dhe disa paradokse që askush nuk mund t'i hamendësojë që mund të bëhen”, - është shprehur Minxhozi. Po kështu, ai ka bërë të ditur se mungon ambasadori në Indi, megjithëse ministri i Jashtëm Basha është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në këtë shtet, ku ambasada është hapur vetëm si godinë, në mungesë të ambasadorit. “Ajo pastaj që i ngjan një infantiliteti real është mungesa e ambasadorit tonë në Gjermani. Themi se Gjermania është një aleat i yni strategjik. Por në fushën diplomatike ne e injorojmë komplet. Ka një vit pa ambasador, sepse kryeministri propozoi për një ambasador dhe Presidenti nuk e miratoi këtë”, - është shprehur Minxhozi, ndërsa ka sjellë në vëmendje të parlamentit dhe mungesën e ambasadorit në Japoni. Sipas tij, Presidenti i Republikës ka dekretuar ambasadorin shqiptar në Japoni dhe ai nuk ka marrë detyrën për shkak se është kundërshtuar nga Ministria e Jashtme.
Kosova
Pak muaj më parë, Këshilli i Ministrave miratoi emrin e diplomatit Islam Lauka në postin e ambasadorit shqiptar në Kosovë. Gjatë mbledhjes së qeverisë, kryeministri Berisha vlerësoi figurën e Laukës, si njohës të mirë të problematikës në Kosovë. Madje, Berisha tha se ka diskutuar edhe me Presidentin Topi për emërimin e Laukës. Megjithatë, ende nuk dihen arsyet e vërteta përse Lauka nuk e ka marrë ende postin e ambasadorit.

19 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›