E Diel, 1 Nëntor 2026

Neranxi: “Qeveria të reagojë, Bollano po vjedh pronat e himariotëve”



Deputeti i LSI-së, Nikollaq Neranxi, i ka kërkuar dje Presidentit të Republikës dhe qeverisë të reagojnë, pasi kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, përveç politikës antishqiptare, së fundmi ka filluar të vjedhë pronat e qytetarëve himariotë. Gjatë fjalës së mbajtur dje në Kuvend, Neranxi bëri të ditur se në Himarë po grabiten me dokumente dhe vendime të Agjencisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave tokat e himariotëve të trashëguara në shekuj prej bijve të atij vendi. “Agjencia e Kthimit të Pronave, e cila e ka selinë qendrore në Dy Kullat e Tiranës, është një fole e krimit makabër me pronat kombëtare në tërësi, si dhe me ato të himariotëve dhe të bregdetit jugor në veçanti. Janë krijuar dy pushtete paralele që merren me grabitjen e tokave dhe pazaret e tyre. Pushteti i parë lidhet me kryebashkiakun e Himarës, një bastard politik i quajtur Vasil Bollano, i cili ka nisur të shpërndajë dokumente legalizimi në mënyrë të selektuar për anëtarë të organizatës së tij politike dhe për persona që përbëjnë rrjetin e tij nepotik dhe shërbyes. Ky person, me rrezikshmëri të lartë për interesat e vendit, po e fut atë krahinë në një qorrsokak të errët, po e përdor për interesa personale dhe për qëllime ekstremistësh, të cilët, fatkeqësisht, gjenden dhe veprojnë në Himarë, në qoshka të Greqisë dhe në Tiranë”, - është shprehur Neranxi. Ai i propozoi Kuvendit të miratojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për verifikimin e korrupsionit dhe aferave të mëdha me tokat e bregdetit të jugut dhe sidomos në zonën e Bashkisë së Himarës.

Britania e Madhe ratifikon Protokollin e Shqipërisë me NATO-n

Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar mbylli dje në mesditë procesin e Ratifikimit të Protokollit të Shqipërisë me NATO-n. Pas kalimit në komisionet parlamentare u bë edhe depozitimi i instrumentit, sipas ligjeve në fuqi. Mbretëria e Bashkuar është kështu vendi i pesëmbëdhjetë që ratifikon këtë proces, ritmet e të cilit tregojnë për mbështetjen që ndërkombëtarët po i japin reformave në Shqipëri. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, falënderoi në emër të saj dhe të Kuvendit të Shqipërisë homologun e saj, Majkëll Martin, për mbështetjen që i dha nxitjes së këtij procesi.

19 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›