E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjinushi: Kontrata e ullirit, përdoret nga qeveria për efekt elektoral

Transformimi në ullishte e një mijë hektarëve tokë bujqësore në fshatrat e Kavajës, ka qenë pjesë e debatit mazhorancë-opozitë, në seancën e djeshme parlamentare. Nga ana e saj opozita akuzon për një skenar tjetër korrupsioni me tokat duke devijuar destinacionit e projektit që shtrihet përgjatë Luzit të Vogël, Kryevidhit dhe Gosës, në një fshat turistik, nisur nga largësia nga deti. Deputeti i PSD, Skënder Gjinushi e ka cilësuar kontratën për këtë projekt korruptive dhe sipas tij, kjo kontratë përdoret vetëm për efekte elektorale duke u nisur nga fakti se kultivimi ndodh në një zonë turistike dhe afër bregdetit. Shumica është mësuar të mbrojë aferat e saj siç bënë për rrugën Durrës-Kukës. Impresionohemi me pamjet, kur cilësia apo madhështia nuk ka të bëjë me vjedhje. Me veprat e mëdha, mund të vidhet, aq më shumë kur kemi një qeveri superhajdute. Gjatë fjalës së tij, deputeti Gjinushi ka përmendur arsyet e kundërshtisë së tij për këtë projektligj. Sipas tij, kjo nuk është marrëveshje e mirëfilltë dhe duket mjaft mirë që me të abuzohet, duke u nisur nga fati, që këtu nuk ndërtohet asgjë. Ndër të tjera Gjinushi e ka quajtur absurd faktin sesi një firmë e vetme private do të bëjë çudira me kultivimin e ullirit dhe duke u nisur nga kjo 20 milionëshi i premtuar është tepër larg. Me tone të ashpra deputeti i PSD, ka folur edhe për transparencën e zhvillimeve të tenderit. Tenderët do të jenë transparent, këtu tenderi është bërë vetëm me një komponent. Është rënë dakord me një firmë dhe nga kjo kuptohet se nuk është zhvilluar fare tender, sepse me një konkurrent të vetëm nuk ka tender, është shprehur Gjinushi. Lidhur me këtë vendim, sipas tij, do të ishte më mirë që të realizohej tenderi, sesa qeveria të fshihet gjoja pas një konkurrimi të ndershëm. Në lidhje me argumentin e ngritur nga mazhoranca gjatë diskutimit parlamentar për këtë projektligj sipas së cilës tokat ku do të kultivohen këto rrënjë ulliri janë të refuzuar dhe jo prodhuese, Gjinushi ka ngritur pyetjen sesi në këto toka do të prodhohet ulliri. Pse nuk pyesin për çmimin e tokës do prodhohen 10 tonë për hektarë, ku për 100 vjet do të merren afërsisht 1 miliardë lekë, ndërsa shteti merr 20 dollarë për hektarë. Sakrifica e këtyre që marrin është që pretendohet të fitohet 2.5 miliardë euro. Asnjë nga ne nuk do të jetë për ta dëshmuar këtë, madje as vetë qeveria, është shprehur Gjinushi. Deputeti i PSD këtë fakt e ka quajtur tallje për ish pronarët, dhe sipas tij qeveria nuk po bën gjë tjetër veçse po shtoni detyrime ndaj tyre me legalizime të paligjshme. Duke folur për 1000 hektarët në Synej, të Kavajës, Gjinushi është shprehur se nëse vetë ish pronarët e refuzojnë këtë tokë, vetëm atëherë ajo quhet e refuzuar. Kjo sipas tij, prek interesat e ish-pronarëve dhe është një pasuri tepër e madhe, ku do të mjaftonin 10 projekte të tilla për të kompensuar ata.

Email This Klikime: 1

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›