E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka: PD, përgjegjëse për dështimin e ligjit të dosjeve

Kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka ka ngarkuar me përgjegjësi, Partinë Demokratike dhe kryetarin e saj, Kryeministrin Berisha për dështimin e Ligjit të Dosjeve. Shqiptarët e dinë tashmë, se Partia Demokratike është përgjegjësja kryesore dhe e vetme për mosdënimin e krimeve të komunizmit, është përgjegjësja kryesore për mosmbajtjen e premtimit elektoral, për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë, për dënimet dhe vuajtjet e tyre të padrejta, është përgjegjësja kryesore për kaosin e krijuar me pronësinë në Shqipëri dhe moskthimin e pronës te pronarët e ligjshëm, u shpreh Ndoka. Ndër të tjera ai ka theksuar se ndarja me të shkuarën kriminale dhe hapja e dosjeve të policisë sekrete politike, që i shërbeu diktaturës si instrument për krimet kundër shqiptarëve, është një kërkesë e hershme. Gjithashtu, Ndoka theksoi se ditën që do të miratohej ligji, tashmë i pezulluar i kishte kërkua kryeministrit ta tërhiqte atë ligj dhe të hartohej një ligj që të përmbushte standardet në përputhje me Kushtetutën e vendit, por kjo nuk u morr parasysh. Ata synonin të bënin një ligj që të bllokohej, siç u bllokua, ata synonin që nëpërmjet një mashtrimi ti rreshtojnë edhe njëherë ish-të dënuarit politikë dhe votuesit e djathtë të votojnë për Partinë Demokratike, tha Ndoka. Gjithashtu Ndoka garantoi se Partia Demokristiane nuk do të heq asnjëherë dorë nga dënimi i së shkuarës kriminale të diktaturës, nga zbardhja e krimeve të komunizmit dhe nga përpjekjet për të dhënë drejtësi për ata që u dënuan padrejtësisht nga diktatura.

 

Email This Klikime: 1

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›