Leskaj në Pajovë të Peqinit: “28 qershori, dita e kthesës në jetën e shqiptarëve”
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste ka qenë dje në Pajovë të Peqinit, ku ka bërë një takim me banorë të zonës. Gjatë fjalës së saj në këtë takim, Leskaj e akuzoi qeverinë “Berisha” se jo vetëm që nuk mbajti premtimet e bëra në zgjedhjet e vitit 2005, por i varfëroi dhe i shtyu shqiptarët drejt mjerimit. Leskaj tha se 28 qershori do të jetë dita e kthesës së madhe në jetën e shqiptarëve. Ajo shprehu besimin dhe optimizmin për fitoren që do të arrijë Partia Socialiste në këto zgjedhje. “Sot shqiptarët janë më të varfër se katër vjet më parë edhe pse qeveria aktuale u kishte premtuar parajsën. Qeveria e sotme është e vetmja qeveri që në vend që të kujdeset që kriza të mos rëndojë jetët e njerëzve, kujdeset për të fshehur pasojat e krizës. Kjo është qeveria e skandaleve të njëpasnjëshme, që nga Gërdeci që mori jetë njerëzish, që i dha emrin qeverisë që do të mbahet mend si qeveria e Gërdecit. Gjithë enturazhi i kryeministrit dalin të implikuar në skandale. 28 qershori është dita e kthesës në jetën e shqiptarëve. 28 qershori është rasti i madh për t’i dhënë jetën që meriton çdo të riu, çdo gruaje, çdo pensionisti, çdo fëmije të këtij vendi, për t’u dhënë shqiptarëve mirëqenien dhe respektin që meritojnë dhe ne do ta bëjmë këtë së bashku”, - tha Leskaj.
16 Prill 2009