Shkrirja, Pollo pritet me protesta në Berat
Simpatizantë dhe ish-anëtarë të kryesisë së PD-së në Berat kundërshtojnë rikthimin e Pollos
BERAT- Zv. Kryeministri, Genc Pollo, është pritur dje me protesta nga anëtarë dhe simpatizantë të degës së PD-së, Berat. Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar pak ditë më parë me kryetarin e PD-së, Sali Berisha, Genc Pollo ka qenë dje në Berat, pikërisht për të shkrirë degën e PDR-së me degën e Partisë Demokratike të këtij qyteti, si dhe për t’u prezantuar si kryetar i grupit që do të drejtojë fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Por Pollo është gjendur përpara protestave të antërëve e simpatizantëve të Partisë Demokratike dhe kryesisht të nostalgjikëve të kësaj partie, si dhe nga ish-anëtarë të kryesisë të kësaj dege për Beratin. Pollo ka mbërritur në ambientet e selisë së PD-së vetëm pak minuta para fillimit të takimit, i shoqëruar nga deputeti i qytetit të Beratit, Mehmet Xheka, anëtarët e tjerë të kryesisë dhe nga kryetari i Partisë Demokratike të degës të Beratit. Që në fillim të takimit u njoftua për shkrirjen e dy degëve, ajo e PDR-së dhe dega e PD-së, si dhe prenzantimi i grupit të përbërë nga Genc Pollo, kryetar dhe Majlinda Bregu n/ kryetare që do të udhëheqin fushatën e zgjedhjeve parlamentare të viti 2009 në këtë qark. Sapo ka filluar takimi, simpatizantë të kësaj partie nuk kanë pranuar që mbledhja e kësaj kryesie me këtë rend dite të vazhdohet me dyer të mbyllura. Ata nuk kanë pranuar të dalin nga salla ku zhvillohej takimi me argumentin se në mbledhjen me dy kryesitë e shkrira do të bëhej manipulim me direktivat e dhëna për zgjedhjet e strukturave të PD-së për gjithë rrethin dhe më gjerë në Qarkun e Beratit. Gjithashtu, ata kanë kundërshtuar me forcë urdhrin për të dalë jashtë sallës ku filloi takimi, çka ka bërë që grindja të kalojë me tone të ashpra dhe me fjalë deri fyese. Si rezultat i debatit me tone të larta, të mandatuarit nga qendra janë detyruar që të ndërpresin mbledhjen, duke nxjerrë jashtë në të njëjtën kohë edhe median, e cila ishte prezente, teksa brenda në sallë po zhvillohej debati i ndezur mes simpatizantëve, dhe të deleguarve. “Mbledhja e kryesisë duhet të bëhet e hapur, jo si në kohën e komunizmit. Pollo do të kthejë komunizmin në Berat, gjë të cilën ne nuk e lejojmë. Pollo ka ardhur të instalojë njerëzit e tij në strukturat kyçe të PD-së. Nga Pollo dhe nga shokë të tjerë politikanë të këtij lloj në 1997-n, na janë thyer dhëmbët. Kur në ’97-n, anëtarët e kryesisë aktuale ishin me partitë e tjera të majta e komuniste, ne e mbajtëm dhe e ruajtëm, ngritëm struktura të reja të PD- së”, - u shprehën simpatizantët. Ata, gjithashtu, janë shprehur se Pollo nuk njeh strukturat e Partisë Demokratike të bazës ndaj nuk duhet të jetë në krye të grupit për drejtimin e fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 2009. Kritikat u drejtuan nga anëtarë e simpatizantë dhe ish-anëtarët e kryesisë së degës të PD-së të Beratit, si Sokol Cena, Bexhet Aliaj, Xhevair Mjeshova etj., të cilët shoqëroheshin nga qindra anëtarë e simpatizantë të kësaj partie.