E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjinushi: Ligji i Dosjeve mbulon krimet e Sali Gërdecit

>Kreu i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi ka reaguar ndaj qeverisë Berisha, duke e quajtur atë një nga qeveritë më të dështuara. Gjinushi ndër të tjera u shpreh se ligj i pastrimit të figurave nuk dënon krimet e komunizmit, por mbulon krimet e Sali Gërdecit; mbulon korrupsionin dhe krimin shtetëror të qeverisë aktuale. SHBA e BE vazhdojnë të na bëjnë të qartë që nuk janë ata më prokomunistë se Berisha, nuk kanë qenë kurrë ata në krah të komunizmit, por janë ata partnerët kryesorë që ta çojnë Shqipërinë në rrugën e demokracisë së vërtetë; dhe Berisha arrin ti quajë edhe ata në krah të komunizmit vetëm që të mbrojë gjoja ligjin e pastrimit të figurave,- vijoi Gjinushi. Kreu i PSD, deklaroi se  ne denoncojmë faktin që qeveria aktuale nuk i ka hapur dosjet as në 92, as në 06, edhe pse p/ligji ka 3 vjet në parlament. Ai vijoi se ne deklaruam atëherë që po të hapeshin dosjet, me ndershmëri dhe transparence, bie qeveria, e ja ku jemi që kjo qeveri nuk guxoi ta votojë ligjin këto 3 vjet, sepse gjysma do i dilnin spiunë duke filluar dhe  nga vetë kryeministri. Rruga drejt BE, rruga drejt NATO-s, nënvizoi Gjinushi, bëhet vetëm duke ngritur një demokraci të vërtetë dhe jo me propaganda, jo me ligje antikushtetuese, ato luftohen vetëm me një model më të mirë; vetëm duke treguar dallimin real mes demokracisë dhe ish- diktaturës, e jo me ligje demagogjike, dhe aq më tepër me ligje të qëllimshme që synojnë vetëm paralizimin e gjyqësorit për të mbuluar krimin dhe korrupsionin e qeverisë; për të mbuluar zhdukjen e dëshmitarëve që vazhdon edhe sot ku promovohen persona të implikuar drejtpërdrejt në këto afera, apo presione që bëhen ndaj medias deri me djegie makinash sa herë që denoncohet korrupsioni i klaneve të Berishës. Gjithashtu, ai tha se raportet për Shqipërinë janë më negativet, saqë renditemi në regjimet më hibride, dhe kur populli pret të integrohemi në Evropë, Shqipëria në mënyrë konsekuente, për faj të qeverisjes aktuale renditet në vendet e Afrikës dhe integrohet gjithnjë e më shumë në vendet problematike të kontinentit afrikan në krah të Gabonin e Ugandës. Sipas Gjinushit, kjo vjen si rezultat i korrupsionit dhe krimit shtetëror, siç janë ngjarja dhe tragjedia e Gërdecit, vjedhja masive apo e shekullit në rrugën Durrës-Kukës, privatizimet e paligjshme në çdo skaj të Shqipërisë, apo çështja Fazlliç. Këtë korrupsion dhe krim të sajin, qeveria përpiqet ta mbrojë me çdo kusht duke goditur porkurorinë dhe gjykatat, për këtë ka sajuar dhe ligjin e pastrimit të figurave,- tha Gjinushi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›