Kalimi i paligjshëm i kufirit, shifra rekord në Durrës
Dhjetëra të arrestuar nga policia e Durrësit për tentativë të kalimit të kufirit nëpërmjet përdorimit të formave të paligjshme. Ky është bilanci i 9 muajve të parë të këtij viti, ndërkohë që një ditë më parë policia raportoi arrestimin e 4 shtetasve të tjerë të Kosovës, për të njëjtën akuzë. Që nga janari e deri në shtator të këtij viti, drejtoria rajonale e kufirit dhe migracionit në Durrës deklaron se ka konstatuar dhe ndjekur 68 raste për falsifikim të letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave, me 75 autorë, nga të cilët 52 janë arrestuar në flagrancë, ndërsa të tjerët ndiqen në gjendje të lirë. Për falsifikim të vulave, stampave a formularëve janë arrestuar 36 persona dhe hetohen të lirë 4 të tjerë. Në 9 raste me 17 autorë është konstatuar kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror, po vetëm një prej tyre është hetohet në gjendje arresti. Ndërkaq burimet zyrtare policore bënë të ditur se për veprën penale të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm kufiri janë evidentuar 10 raste me 16 autorë, nga të cilët 13 janë arrestuar në flagrancë dhe 3 hetohen në mungesë. Sipas këtyre burimeve, me rritjen e kontrollit është vërejtur rënie në numrin e atyre që kanë arritur ta kalojnë kufirin ilegalisht dhe të kapen nga autoritetet italiane. Kështu, gjatë këtij viti janë kthyer 4 persona, nga 11 që u kthyen nga brigjet e Adriatikut perëndimor për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkaq, mes të arrestuarve të raportuar një ditë më parë nga policia është dhe një femër, Luljeta Azisi, 27 vjeçe, nga Ferizaj. Ajo dyshohej, ashtu si dhe 3 të tjerët, se zotëronte një leje qëndrimi zvicerane false. Dokumentet e sekuestruara janë dërguar në laborator për verifikim, ndërsa 4 kosovarët në qeli në pritje të rezultateve.