Gjinushi: “Me qeverinë e Berishës shqiptarët jetojnë më keq se 4 vjet më parë”
Në kuadër të riorganizimit të strukturave për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, Partia Socialdemokrate ka zhvilluar konferencën e radhës në Njësinë Nr. 2 në Tiranë.
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ka qenë në fokus të fjalës së kreut të PSD-së, Skënder Gjinushi, i cili ka theksuar se është realizuar aspirata e shqiptarëve, të cilët kanë meritën kryesore të anëtarësimit të vendit tonë në strukturën euroatlantike.
Gjinushi e cilësoi të pamoralshëm veprimin e qeverisë dhe të maxhorancës për të privatizuar këtë arritje të Shqipërisë, ndërkohë që akuzoi qeverinë se suksesi i saj duhet të ishte mirëqenia e shqiptarëve, të cilët, për fat të keq, sot jetojnë me keq se katër vjet më parë. ”Propaganda e Partisë Demokratike këto ditë është tepër e ethshme, është tepër aktive, deri agresive, duke kërkuar të thonë se është opozita që do të nxijë këtë ngjarje të madhe; do të nxijë anëtarësimin e Shqipërisë, kur opozita e sotme është ajo që ka bërë të mundur këtë anëtarësim në NATO që nga viti ’99. Shqiptarët shohin që ndonëse ne bëhemi anëtarë të NATO-s me qeverinë e Berishës nuk jetojmë më mirë se 4 vjet më parë; nuk kanë më shumë liri sesa 4 vjet më parë”, - tha Gjinushi.
4 Prill 2009