Gjinushi: “Në protestë, kundër kryeministrit Berisha”
Apel për t’iu bashkuar kësaj proteste ka bërë dje edhe kreu i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi. Gjatë një konference për shtyp, Gjinushi tha se i gjithë populli shqiptar duhet të marrë pjesë në këtë protestë. “PSD shpreh mbështetjen për protestën e madhe të 15 marsit në sheshin “Skënderbej”, ku i gjithë populli duhet t’i japë mbështetjen e plotë të gjithë opozitës për të kujtuar e për të protestuar për ngjarjen tragjike të Gërdecit, një krim i pastër shtetëror. Vetëm populli në protestë, vetëm populli me votën e tij, mund ta largojë këtë qeveri të uzurpuar nga Berisha, e cila, pasi mashtroi, vodhi, vrau dhe po e përdhunon këtë popull për 4 vjet”, - tha Gjinushi.
G99: Në protestë të shprehim indinjatën ndaj Berishës
Lëvizja G99 ka akuzuar qeverinë se po i trajton në mënyrë makabër dhe të paturshme viktimat dhe familjet e prekura nga tragjedia e Gërdecit. Aktivisti i G99-s, Genci Kojdheli, iu referua rastit të hedhjes në gjyq nga Bashkia Vorë të viktimave të tragjedisë së Gërdecit, duke u kërkuar atyre paratë që kanë përfituar për dëmet njerëzore e materiale të shkaktuara nga shpërthimi aspak aksidental i 15 marsit 2008. Kojdheli tha se viktimat e tragjedisë nuk meritojnë sorollatje dhe shkelje të dinjitetit të këtyre nga qeveria. Ai u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së 15 marsit. “G99 fton të gjithë shqiptarët e ndershëm, pa dallime ngjyrimesh politike, që të bashkohen në protestën qytetare të së dielës, në datën 15 mars, ora 18.00, në Sheshin Skënderbej, duke protestuar kundër padrejtësive dhe fatkeqësive që kjo mazhorancë makute dhe imorale i ka shkaktuar kombit”, - tha Kojdheli.
14 Mars 2009