E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, strategjia për të fituar votat e të pavendosurve



Shaban Sulçe

E gjithë beteja parazgjedhore si dhe fushata elektorale e Partisë Socialiste do të zhvillohet me qëllimin e vetëm për të fituar mbështetjen dhe votat e votuesve të pavendosur në Shqipëri. Sondazhet e zhvilluara nga selia rozë, por edhe sondazhi i kompanisë amerikane “Zogbi”, u kanë konfirmuar drejtuesve socialistë faktin se në Shqipëri një përqindje shumë e madhe zgjedhësish ende nuk e ka vendosur dhe ende nuk e ka përcaktuar se për cilën prej forcave politike do të votojë në zgjedhjet e 28 qershorit. Mësohet se bëhet fjalë për një përqindje decizive, ku sipas rezultateve të sondazheve më shumë se 17% e të pyeturve nuk kanë përcaktuar se për cilën prej partive do të votojnë në këto zgjedhje. Një shifër e tillë e ka detyruar selinë rozë të hartojë një strategji, e cila ka për synim sigurimin e mbështetjes dhe votave të të pavendosurve.

Strategjia
Strategjia e selisë rozë do të përqendrohet në fushatën derë më derë. Kjo fushatë, e cila deri tani është vënë në zbatim për të ftuar sa më shumë qytetarë që të marrin pjesë në manifestimin e heshtur të 15 marsit, do të vijojë deri edhe ditën para zgjedhjeve. Drejtues të strukturave qendrore të PS-së, drejtues të organizatave dhe shtabeve lokale, si dhe kandidatët që do të zgjidhen për deputetë, do të bashkëpunojnë me Vullnetarët e Partisë Socialiste për t’u takuar derë me derë me çdo qytetar dhe për t’i kërkuar mbështetjen për zgjedhjen e 28 qershorit. Selia rozë ka hyrë kështu në fazën e dytë të organizimit të saj paraelektoral. Pasi organizatat e PS-së në bazë kanë marrë profil elektoral, tashmë ka nisur procesi i dytë, i cili është ai i punës në terren me zgjedhësit. Por në këtë drejtim një rëndësi shumë e veçantë do t’u kushtohet votuesve të pavendosur, të cilët ende nuk e kanë një vendim të qartë se për cilën forcë politike do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Anëtarësia
Por zgjedhësit e pavendosur nuk do të jenë i vetmi objektiv i strukturave të Partisë Socialiste gjatë fushatës elektorale. Pak ditë më parë ishte vetë kreu i PS-së, Edi Rama, i cili kërkoi nga drejtues vendorë të PS-së që të afrojnë sa më shumë anëtarë të partive të tjera. Mësohet se Rama u ka thënë drejtuesve vendorë që të përqendrojnë energjitë e tyre në afrimin e sa më shumë anëtarëve nga partitë e tjera në gjirin e Partisë Socialiste. Rama ka deklaruar se baza socialiste duhet të afrojë sa më shumë anëtarë, qofshin këta të partive të majta, apo të partive të djathta, duke e lidhur këtë fakt me filozofinë e tij politike, sipas së cilës ka ardhur koha për bashkimin e madh të qytetarëve shqiptarë përtej ndasive politike.

Rama vijon fushatën derë më derë, ftesa për qytetarët për protestën

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vazhduar së bashku me vullnetarët e Bashkimit për Ndryshim të sensibilizojë qytetarët e Tiranës për pjesëmarrje masive ditën e diel në mitingun qytetar, që do të zhvillohet në përkujtim të 1-vjetorit të tragjedisë së Gërdecit. “Kjo plagë e hapur në trupin e shoqërisë shqiptare një vit më parë ka nevojë të përkujtohet në mënyrë që të mos harrohet e të mos përsëritet më kurrë”, - tha Rama, i cili dje ka qenë në një rrugë në bllokun “Mine Peza” në kryeqytet. Në takimet me banorët, ai është njohur dhe përballur edhe me problemet e jetës së tyre të përditshme, ndërkohë që ka deklaruar se protesta e 15 marsit do t’i bashkojë shqiptarët.
“Ne kemi për detyrë të bashkohemi dhe të ndryshojmë realitetin, duke lënë pas Saliun dhe të gjithë politikën e vjetër të së shkuarës. Kështu, të jemi bashkë në orën 18:00, në sheshin "Skënderbej". Kjo ftesë është për familjet, lajmëroni familjarët, se nuk po bëjmë një miting partie, por një manifestim qytetar, që si qytetarë të jemi të bashkuar, sepse së bashku, si të gjitha vendet e qytetëruara, mund t’i përballojmë të këqijat, mund t‘i shërojmë plagët, mund t’i zgjidhim problemet. Ndryshe, do të mbetemi peng i një grushti politikanësh, që, për interesat e tyre, na kanë përçarë për vite me radhë. Përça e sundo, kjo vlen për ta, por kjo nuk vlen për popullin, nuk vlen për ne. Po të jemi bashkë dhe po të çojmë derë më derë mesazhin e bashkimit si qytetarë, ne nuk na zmbraps jo askush, por asgjë. Shqipëria nuk ka asgjë më pak se vendet rreth e rrotull për të qenë njësoj si ato”, - tha Rama.

14 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›