LSI: Dhunimi i Kushtetutës nga PS-PD, një motiv më shumë për të qenë në protestë
Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar ndaj veprimit më të fundit të qeverisë “Berisha” për heqjen nga Kushtetuta të simboleve shqiptare dhe transformimin e saj me ngjyrat blu. Nënkryetarja e LRI-së, Erisa Xhixho, akuzoi Ramën dhe Berishën si dhunuesit e Kushtetutës dhe u shpreh se një fakt i tillë është një argument edhe më i fortë për të mbështetur protestën e LSI-së, “Berisha ik”, më 15 mars. “Ndihemi sot shumë të fyer dhe të indinjuar me veprimin më të fundit të qeverisë “Berisha” në konsensus të plotë me lidershipin e Partisë Socialiste, dhunimin përfundimtar të Kushtetutës së Shqipërisë. Mbasi ndryshuan një seri nenesh të cilat dobësuan rolin e Gjyqësorit dhe pavarësinë e Prokurorisë, dobësuan rolin e Presidentit, prishën balancat e mirëvendosura në Kushtetutën e parë të votuar drejtpërsëdrejti nga populli dhe blinduan pozicionin e kryeministrit duke i dhënë atij një pushtet të pamasë mbi Ekzekutivin dhe Legjislativin, ata guxuan dhe i hoqën Kushtetutës së Shqipërisë edhe simbolet kombëtare, duke e ngjyer atë me bojën e Partisë Demokratike, njëlloj sikur të ishte Statuti i PD-së. Ky është edhe një argument tjetër shumë i fortë për të gjithë qytetarët se përse ditën e diel, në orën 17:00, duhet të jemi të gjithë në sheshin “Nënë Tereza” për t’i thënë ”ik” këtij njeriu, që çdo ditë e më tepër me veprimet e tij po e çon Shqipërinë drejt greminës”, - tha Xhixho.
14 Mars 2009