PDK-ja dënon konfliktin e Ekzekutivit me Prokurorinë e Përgjithshme
Partia Demokristiane ka dënuar dje nëpërmjet sekretarit politik, Lazer Stani, konfliktin midis qeverisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Gjatë deklaratës për shtyp Stani ka shprehur shqetësimin për këtë konflikt, i cili, sipas tij, dëmton ecurinë e reformave në vend. “PDK-ja vëren me shqetësim rritjen e tensionit dhe thellimin e konfliktit midis institucioneve kushtetuese, duke krijuar një kosto të panevojshme për vendin, reformat, të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë, por edhe duke dëmtuar imazhin e qeverisjes së maxhorancës së djathtë, kur kanë mbetur më pak se dhjetë muaj nga zgjedhjet e reja parlamentare”, - është shprehur Stani. Sipas tij, sulmet e qeverisë dëmtojnë punën e pavarur të Prokurorisë së Përgjithshme. “Sulmet e fundit të Ekzekutivit shqiptar ndaj Prokurorisë së Përgjithshme, sulme ku janë përshirë ministri i Brendshëm, ministri i Drejtësisë dhe së fundi kryeministri, kanë krijuar shqetësime serioze dhe po i krijojnë vështirësi institucionit të Prokurorisë në kryerjen e misionit të saj kushtetues. PDK-ja, nëpërmjet grupit të saj parlamentar, në respekt të Kushtetutës së vendit, do t’i japë gjithë mbështetjen e saj pushtetit gjyqësor dhe në veçanti Prokurorisë së Përgjithshme, në kryerjen e misionit të saj kushtetues dhe e inkurajon atë të vazhdojë, në përputhje me ligjin, zbardhjen e ngjarjeve të rënda dhe dosjeve që kanë krijuar shqetësim në opinionin tonë publik”, - është shprehur sekretari politik i PDK-së.
15 Tetor 2008