Gjinushi: PS-PSD, boshti i fitores së zgjedhjeve
Kryetari i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, cilësoi si të rëndësishme dhe jetike për të majtën bashkëpunimin PS-PSD për zgjedhjet e qershorit. Në një takim me rastin e konferencës përmbyllëse të Tiranës, Gjinushi vërejti se e majta ndodhet para një fitoreje të madhe. Lidhur me bashkëpunimin PS-PSD, Gjinushi vuri në dukje se bashkimi bazohet mbi një program, i cili ka në bazë një bashkëpunim 10-vjeçar të PSD me PS dhe nuk është si bashkimi i djathtë, i cili ka të njëjtin moral si bashkimi i 2005-ës. "Marrëveshjet që ka lidhur Berisha janë me Cekën, Xhuvelin dhe ‘ministrin e Gërdecit‘, pra aty janë gjithë përfaqësuesit më të akuzuar për Berishën, për bëmat e gjëmat më të mëdha në Shqipëri, duke filluar nga gjenerali i ‘97, ‘peshkaqeni i Zemunit‘ dhe ‘ministri i Gërdecit‘, urdhëruesi dhe zbatuesi i këtij krimi shtetëror", u shpreh ai. Gjinushi vuri në dukje se fitorja i takon të fillojë nga Tirana, e cila, tashmë është kthyer në një bastion të së majtës dhe këtë e dëshmuan dhe zgjedhjet e vitit 2007.