E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH, gjeneratorë të lëvizshëm për numërimin me kamera

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes do të vendosë në dispozicion të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gjeneratorë të lëvizshëm në mënyrë që të garantohet energjia dhe të mos ndërpritet në asnjë moment procesi i numërimit të votave përmes kamerave. Në bazë të llogaritjeve do të duhen rreth 66 gjeneratorë të lëvizshëm, aq sa janë qendrat e numërimit të votave në të gjithë vendin. Ky është thelbi i marrëveshjes së nënshkruar dje mes përfaqësuesve të KQZ-së, Arben Ristani dhe Dëshira Subashi, si dhe përfaqësuesit të OSSH-së, Sait Dollapi. Veç të tjerash, OSSH-ja garanton mbarëvajtjen e të gjithë procesit, duke garantuar energji elektrike dhe efikasitetin e grupeve të saj për të reaguar në çdo situatë që do të krijohet në vend gjatë procesit zgjedhor. Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, tha se KQZ-ja është e përkushtuar për rëndësinë e zgjedhjeve, është munduar që me të gjitha institucionet e tjera të sigurojë standardet maksimale të zgjedhjeve.
Kryetari i KQZ-së shtoi se këtë herë, ky mision është i rëndësishëm, duke pasur parasysh faktin që do të përdoret teknologjia e kamerave për numërimin e votave dhe përdorimi i këtij sistemi është i lidhur ngushtë me furnizimin me energjinë elektrike. Nga ana e tij, Dollapi premtoi vendosjen e gjeneratorëve të lëvizshëm ditën e zgjedhjeve, nëse nga ndonjë defekt i mundshëm apo nga mbingarkesa ndërpritet energjia elektrike. Kjo është marrëveshja e dytë që nënshkruhet mes KQZ dhe institucioneve që ndihmojnë në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Pak ditë më parë, kreu i KQZ-së Ristani nënshkroi një marrëveshje me kryetaren e KKRT-së, Mesila Doda, për monitorimin e mediave gjatë fushatës elektorale. Në vijim pritet që KQZ të miratojë disa marrëveshje bashkëpunimi me institucione që do ta ndihmojnë në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Sakaq, KQZ ka miratuar tekstin e marrëveshjes së bashkëpunimit me Këshillin e Ministrave. Në bazë të kësaj marrëveshjeje reciproke qëndron angazhimi i të dyja palëve për të përmbushur të gjitha detyrimet që kërkon procesi zgjedhor. Në marrëveshje parashikohet që Këshilli i Ministrave të vërë në dispozicion të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dy helikopterë për çdo nevojë urgjente gjatë ditës së zgjedhjeve. Qeveria angazhohet që të krijojë kushtet e nevojshme dhe ambientet që i duhen KQZ-së për ngritjen e KZAZ-ve, trajnimeve të ndryshme. I takon Këshillit të Ministrave që të garantojë të gjitha mundësitë e shpërndarjes së materialeve të KQZ. Në bazë të këtij memorandumi bashkëpunimi, Këshilli i Ministrave siguron ambiente të përshtatshme për aplikimin e teknologjisë mbështetëse (e cila aplikohet për herë të parë në Shqipëri), për numërimin e votave për Vendet e Numërimit të Votave si dhe përgatitjen e infrastrukturës së nevojshme logjistike për mbarëvajtjen e procesit të numërimit të votave, në përputhje me mënyrat dhe procedurat e përcaktuara nga KQZ-ja. Për përmbushjen e gjithë këtyre detyrimeve angazhohen

prefektët dhe administrata që ata drejtojnë. Ndërsa KQZ-ja u siguron në kohë institucioneve të mësipërme informacionin e duhur për realizimin e bashkëpunimit institucional, në funksion të administrimit të procesit zgjedhor.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›