E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu: Do t‘i japim zgjidhje çështjes së pronave

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deklaroi dje nga Elbasani se republikanët janë të angazhuar maksimalisht dhe kanë një platformë të qartë elektorale, e cila do t‘i japë zgjidhjen e plotë dhe përfundimtare çështjes së pronës. Sipas kreut të Partisë Republikane, kjo çështje përbën obligimin më të madh të kësaj force politike para shqiptarëve dhe do të jetë një nga shtyllat më të fuqishme të programit elektoral, e cila tregon qartë dhe identitetin e kësaj partie. Sipas Mediut, zgjidhja e çështjes së pronës do të përbëjë prioritetin e programit të qeverisë së ardhshme të djathtë. "Ky do të jetë dhe parakushti i pjesëmarrjes sonë në këtë koalicion qeverisës. Ne jemi të vetëdijshëm për kritikat që na drejtohen në lidhje me pamundësinë e zgjidhjes së çështjes së pronave gjatë mandatit qeverisës 2005-2009, por, për hir të së vërtetës, zëri i republikanëve nuk ka reshtur së dëgjuari në të gjitha drejtimet në mbrojtje të kësaj çështjeje jetike dhe të rëndësishme për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian", u shpreh Mediu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›