E Shtunë, 31 Tetor 2026

Listat paraprake, korrigjimi deri më 28 prill

Njësitë vendore dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile kanë afat deri më 28 prill për korrigjimin e listave paraprake. Pas kësaj, Kodi Zgjedhor parashikon shpalljen e listave përfundimtare të zgjedhësve, edhe pse ligji lë hapësira që korrigjimet e mundshme mund të bëhen edhe pas shpalljes përfundimtare të tyre. Në bazë të Kodit Zgjedhor, listat paraprake publikohen 15 ditë pas shpalljes së dekretit të Presidentit të Republikës, për datën e zgjedhjeve dhe në vijim është koha e nevojshme kur bëhen verifikimet dhe korrigjimet e duhura në lista, sidomos në rastet e dublikatave, të personave që deri më 28 qershor mbushin 18 vjeç etj. Neni 52 i Kodit Zgjedhor parashikon që kërkesat për korrigjime në lista të marrin fund jo më vonë se 60 ditë para zgjedhjeve, çka do të thotë se afati i fundit është data 28 prill. Ndërsa listat përfundimtare shpallen 30 ditë para zgjedhjeve. Megjithatë kodi lë të hapur mundësinë e korrigjimeve të listave, edhe pasi është shpallur lista përfundimtare. Neni 55 i Kodit Zgjedhor parashikon se kur zgjedhësi vëren se nuk është i regjistruar në listën përfundimtare të zgjedhësve të zonës së qendrës së votimit të vendbanimit të tij, ai ka të drejtë të paraqesë një kërkesë në gjykatën e rrethit gjyqësor përkatës deri 24 orë përpara datës së zgjedhjeve. Në këtë mënyrë, çdo qytetar, duke nisur nga data 28 maj deri më 27 qershor, ka mundësi që përmes një kërkese në gjykatë të përfshijë emrin në listën e votuesve. Kur zgjedhësi ndryshon vendbanimin pas shpalljes së listës përfundimtare të zgjedhësve, zgjedhësi voton në qendrën e votimit ku ka emrin në listën e zgjedhësve. Me përfundimin e afatit për korrigjimin e listave paraprake pritet që në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të ketë një raportim më të detajuar të ecurisë së procesit nga strukturat përkatëse.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›