Gjinushi: PS të luftojë korrupsionin në qeveri
24/01/2005 Një ditë para analizës së qeverisë së kryeministrit Fatos Nano, kryetrai i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, ka deklaruar sërisht se një bashkëqeverisje me aleatët e koalicionit, do të ishte më e sukseshme në luftën kundër korrupsionit. Gjatë një takimi të zhvilluar me simpatizantë të partisë së tij në qytetin e Durrësit, Gjinushi është shprehur se "Partia Socialiste ka qenë një nga partitë që ka pasur guximin që ti denoncojë vetë problemet e caktuara për korrupsionin që ka brenda vetes, dhe nuk ka pasur guximin pastaj që të veprojë për të realizuar zgjidhejn e këtyre denoncimeve". Gjatë qëndrimit të tij, kreu i socialdemokratëve ka theksuar se, do të jetë i gatshëm të bashkëpunojë me një parti që do të jetë e angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe për të sjellë hapat që duhen për të integruar Shqipërinë në Bashkimin Evropian. Nga ana tjetër, Gjinushi ka tërhequr vëmendjen për bashkëpunimin mes koalicionit duke kërkuar prej strukturave të përgatiten për të dalë më vete në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Megjithatë, do të jetë analiza e Qeverisë që do të përcaktojë zhvillimet më të mëvonshme në koalicion. Por paralelisht me turin e takimeve që ka ndërmarrë Gjinushi, në PSD ka hedhur rrënjët një tjetër lëvizje e re. Gaqo Apostoli, deklaroi dy ditë më parë se, do të iniciojë një lëvizje të re në PSD. Por në rast se kjo lëvizje nuk do të pranohet, ai thekson mundësinë e një dalje më parti më vete.