Pollo: "Koalicioni të mos ketë vetëm një kryetar"
24/01/2005 Kryetari i Partisë Demokrate të Re, Genc Pollo, ka deklaruar dje se një bashkëpunim me partitë e djathta do të ishte një garanci e madhe për fitoren e zgjedhjeve të përgjithshme. Sipas tij, koalicioni nuk duhet të udhëhiqet nga një kryetar pasi, "skema e një të djathte unitare me një lider e një flamur, nuk ngjall besimin dhe shpresën e duhur, ndaj nuk është një garanci për fitore". Shqyrtimi i të gjitha hapësirave për fitore së bashku me Partinë Demokartike, për kreun e PDR-së, janë cilësuar si një hap pozitiv. Sipas tij, "formati i një të Djathte Plurale, ku gjejmë format e koekzistencës e kooperimit apo ide e organizata të ndryshme brenda një kuadri të gjerë, është formula më optimiste". Gjithashtu, Pollo thekson se forca e tij politike do të dalë në zgjedhjet e përgjithshme me 100 kandidatë për deputetë. Ky kandidim për kreun e PDR-së, cilësohet jo si një ambicje për të ruajtur rezultatin aktual të Partisë, por, për të rritur akoma më shumë zgjerimin e kësaj force politike. Duke pasqyruar dhe objektivat me të cilët do të punojë PDR-ja, Pollo tha se, "duhet të angazhohemi në një fushatë sa mediatike por me shumë kapilare, për të çuar në Kuvend një grup deputetësh rapresentativë, cilësorë e sasiorë. Për këtë, ne duhet të mbledhim votat e partisë sonë në të gjitha 100 zonat zgjedhore". Gjithashtu, PDR-ja ka miratuar zëvendësimin e Sekretarit të Përgjithshëm të saj, pas largimit të Kreshnik Çollakut, posti i të cilit tashmë do të drejtohet nga Ferdinant Xhaferri.