Gjinushi: PSD, garanci për të majtën
Slogani i Partisë Social Demokrate për zgjedhjet e qershorit do të jetë "PSD, garanci për të majtën". Vendimi u mor dje në ditën e dytë të kongresit të kësaj partie. Në një komunikim me mediat, pas mbylljes së punimeve, kreu i PSD-së shpalli disa prej pikave të programit të PSD-së për qeverisjen e së majtës. "Në bazë të këtij programi, synimi ynë kryesor mbetet anëtarësimi i Shqipërisë në BE, pra marrja e statusit të vendit kandidatë që siç dihet do të shqyrtohet pas zgjedhjeve me kusht që ato të jenë të standardeve", tha Gjinushi. Ai theksoi se PSD-ja insiston për pajisjen me karta të votuesve dhe që zgjedhjet të jenë të standardeve të duhura. "Ne jemi për një integrim që e ndjejnë shqiptarët dhe integrim që bëhet thjesht për përfitime politike të njërës apo tjetrës qeveri", vijoi kreu i PSD-së lidhur me pozicionimin e partisë së tij në këto zgjedhje. "PSD do bëjë pjesë në bashkimin e ri për ndryshim, bashkimin e të majtës e më gjerë do paraqitet në një koalicion me PS-në e aleatë të tjerë, me bindjen që ky bashkim është fitues në qershor", tha ai. Në ditën e parë të punimeve, kongresi rizgjodhi Skënder Gjinushin si kryetar të partisë, si dhe bëri një bilanc të katër viteve të qeverisë Berisha, duke i konsideruar ato një dështim. Më tej kongresi përcaktoi sfidat e ardhshme të PSD-së.