Meta: Plan për shpëtimin e biznesit fason
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ofroi dje mbështetjen e tij për fasonët. Me rastin e 1 Majit, Meta u shpreh se si kurrë më parë sot po bien fort kambanat e rritjes së papunësisë në vend. Meta bëri të ditur se plani i LSI-së për të përkrahur biznesin e fasonëve konsiston në subvencionimin në masën 50% të sigurimeve shoqërore për punëdhënësit, deri në dhjetor të vitit 2011 dhe njëkohësisht për heqjen e tatim-fitimit për këto biznese deri në dhjetor të vitit 2010. "Vendi është në krizë, papunësia po rritet, sepse bizneset dhe kompani të ndryshme po mbyllen dhe varfëria thellohet në familjet shqiptare dhe në shoqërinë tonë", tha Meta. Ndër të tjera, kreu i LSI-së vuri në dukje se ende nuk ka ndonjë plan qeveritar për të përballuar këtë krizë dhe për të ndihmuar bizneset që të mos falimentojnë, apo të shkurtojnë vendet e punës, edhe pse LSI prej 3 muajsh ka kërkuar nga Kryeministri aktual që të paraqesë një plan të tillë në Parlament. Ndaj, LSI-ja, tha Meta- duke shprehur shqetësimin e thellë pas lajmit të fundit të djeshëm se rreth 50 kompani që punojnë me material porositës të industrisë së fasonëve kanë ndërprerë aktivitetin e tyre -deklaron edhe një herë tjetër vullnetin e saj për të ndihmuar biznesin e fasonëve, i cili ka dhe numrin më të madh të të punësuarve në sektorin privat.