Rama: Projekti i PS-së, i hapur për këdo
Projekti i Partisë Socialiste është i hapur për të gjithë. Ky është deklarimi i kreut socialist, Edi Rama, gjatë emisionit "Ora e Debatit", në "Ora News" të gazetarit Alfred Peza. I pyetur nga drejtuesi i emisionit se përse krah tij, në hartimin e mandej në prezantimin e programit qeverisës, mungojnë emra si ish-kryeministri Fatos Nano, apo Bashkim Fino, Rama tha se programi është i hapur për këdo dhe se ai nuk bën bilancin e mungesave me arsye apo pa arsye. "Nuk jam në pozitën e tij që mban listë mungesash dhe kërkon arsye. Projekti ynë është i hapur për të gjithë, për çdo qytetar dhe qytetare të këtij vendi, dhe sot unë kam krenarinë që prej më shumë se dhjetë ditësh të jem me ta për programin tonë qeverisës". Pjesën e parë të emisionit Rama ia kushtoi programit dhe ditës së 1 Majit. Paraprakisht ai zhvilloi një takim në Bulqizë, duke bërë disa premtime për këtë kategori. Kreu socialist deklaroi se statusi i minatorit do firmoset nga Partia Socialiste pas 28 qershorit. "Shqipëria dhe shqiptarët përballen sot me një qeveri dhe me një Kryeministër, që janë tërësisht indiferentë karshi punës së njerëzve të ndershëm, karshi vuajtjeve të njerëzve të punës dhe karshi pasigurisë që kanë ata që e fitojnë bukën me punë të ndershme", tha Rama në Ditën e Punëtorëve. Sipas tij, Kryeministri refuzon ta kuptojë se shtimi i numrit të vendeve të reja të punës dhe përmirësimi i kushteve në punë për njerëzit e punës, janë sot një problem që jo vetëm mbetet i pazgjidhur, por shkon duke u rënduar dita-ditës dhe përballë një krize të re ekonomike dhe një varfërie e papunësie që shtrihet kudo. "Pasi ta nxjerrim në pension Sali Berishën më 28 qershor, do të përcaktojmë kufirin e veçantë për pension për moshën e minatorëve, që do të thotë se politikanët po të duan, le ta bëjnë moshën e pensionit të tyre 80 vjeç, ndërkohë që për minatorët ne do ta frenojmë moshën e pensionit qysh në janarin e vitit 2010", deklaroi kreu socialist, duke zbardhur kështu pika të tjera të programit socialist.