Gjinushi: “Qëndrimi i Berishës në pushtet e dëmton rëndë vendin”
Takimi i radhës për kreun e Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, ka qenë në qytetin e Sarandës. Në takimin e zhvilluar në këtë qytet Gjinushi ka thënë se në rast se Berisha do të qëndronte sërish në pushtet, Shqipëria do të dëmtohej shumë rëndë. “Ne u themi të gjithë shqiptarëve, edhe këtu në Sarandë, se qëndrimi i kësaj qeverie është qëndrim në krizë. Qëndrimi i Sali Berishës në pushtet është për të keqen e vendit, do të thotë vazhdim i vjedhjes, vazhdim i mashtrimit, vazhdim i korrupsionit, vazhdim i lënies së vendit të fundit në rajon dhe jo siç i takon”, - tha Gjinushi. Nga Saranda kreu i PSD-së i bëri thirrje elektoratit shqiptar të votojë të majtën e vërtetë, PSD-në dhe koalicionin “Bashkimi për ndryshim”, sepse sipas tij me të majtën, Shqipëria do të jetë vendi më i zhvilluar i rajonit.
“Të gjithë ata që duan ndryshimin, ata që duan fitoren e bashkimit për ndryshim duhet të votojnë për PSD-në”, - tha Gjinushi.
Milo: “Do ta rrëzojmë me votë Sali Berishën”
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, zhvilloi një takim në qytetin e Sarandës me anëtarë dhe simpatizantë të Demokracisë Sociale. Milo u tha të pranishmëve se qeverisja e sotme dhe alternativa e Sali Berishës është alternativa e imponimit, nuk është alternativa e lirisë për të zgjedhur. “Ajo është alternativa e diktatit politik, nuk është alternativa e krijimit të kushteve që shqiptarët të shprehin lirisht vullnetin e tyre, por është alternativa e grabitjes ekonomike dhe jo e rritjes ekonomike. Është alternativa e korrupsionit galopant me në krye krimin shtetëror në Gërdec dhe nuk është antikorrupsioni siç na u paraqit 4 vjet më parë. Në një shoqëri që po vuan një tranzicion, ne sot duhet të jemi së bashku, ne sot duhet të vendosim, ne sot nuk duhet të diskriminohemi. Nuk duhet të tutemi, që nesër të jemi të vendosur të vemi të votojmë që këtë qeveri ta rrëzojmë me votën tonë”, - tha Milo.
Veliaj: “Të gjithë shqiptarët dëshirojnë ndryshimin”
Në një ndalesë në qytetin e Peshkopisë, gjatë vizitës në qarkun e Dibrës, Erion Veliaj dhe Arbjan Mazniku folën në një takim me qytetarët dhe të rinjtë e Peshkopisë ku prezantuan dhe kandidatin e G99-s për këtë zonë, Sakip Lata. Veliaj tha se asnjë shqiptar me mendje dhe zemër të rregull nuk ka sesi mos ta kuptojnë nevojën për ndryshim. “Kudo që kemi shkuar në turin tonë në Veri, në Tropojë, Has, Kukës si dhe këtu në Peshkopi njerëzit na kanë thënë të përcjellim një mesazh ‘Jemi gati për ndryshim’. Potenciali ynë për të qenë një komb i madh do të duket nga aftësia që do të kemi për të zgjedhur ndryshimin”,- tha Veliaj, duke inkurajuar sidomos të rinjtë të ishin aktivë dhe të merrnin pjesë në votimet e 28 qershorit. “Në Shqipëri është e rëndësishme që të rinjtë shqiptarë të kuptojnë se ka rreth 200 000 veta që votojnë për herë të parë dhe nëse duan ata mund të marrin në dorë të ardhmen e vendit”, – tha Veliaj.
10 Qershor 2009