E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuota 71 deputetë, pse është mision i pamundur për dy koalicionet e mëdha

PS-ja dhe PD-ja duhet të fitojnë me avantazh shumë të thellë ndaj njëra-tjetrës për të krijuar maxhorancën. Koalicioni i LSI-së dhe koalicioni “Poli i lirisë” frenojnë pretendimet e dy partive të mëdha

Shaban Sulçe

Ndonëse fushata elektorale është e polarizuar në betejën midis dy koalicioneve të mëdha, koalicioni “Aleanca për ndryshim” e drejtuar nga Sali Berisha dhe koalicioni “Bashkimi për ndryshim” i drejtuar nga Edi Rama, duket se do ta kenë mision të pamundur krijimin e vetëm të maxhorancës direkte parlamentare. Pavarësisht se si Rama, ashtu dhe Berisha kanë deklaruar se pretendojnë një fitore të thellë me mbi 72 deputetë, duket se vetë sistemi zgjedhor i miratuar prej tyre ia u bën shumë të vështirë arritjen e këtij objektivi. Dy janë arsyet që i privojnë koalicionet e mëdha nga fitorja e drejtpërdrejtë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Së pari është formula “D’hondt”, e cila është sanksionuar në Kodin e ri Zgjedhor si formula që do të përdoret për shpërndarjen e mandateve. Arsyeja e dytë ka lidhje me konkurrimin edhe të dy koalicioneve të tjera, të cilat hyjnë në zgjedhjet e 28 qershorit me pretendime reale për fitimin e një numri të konsiderueshëm mandate deputetësh.

Formula “D’hondt”
Duke analizuar rezultatin zgjedhor të Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike në proceset e fundit zgjedhore rezulton se diferenca midis këtyre dy partive nuk është e madhe. Madje diferenca e votave në secilin prej qarqeve varion në shifra shumë të përafërta. Mjafton të bësh një analizë për qarkun e Tiranës, ku diferenca e votave midis koalicionit të majtë të PS-së dhe koalicionit të djathtë të PD-së ishte 20 mijë vota plus në favor të koalicionit të parë. Nëse do të jetë e njëjta diferencë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, sipas formulës “D’hondt”, koalicioni i PS-së nuk do të mund të fitonte më shumë se sa 15 deputetë në këtë qark me 32 mandate dhe diferenca ndaj koalicionit të PD-së nuk do të ishte më e madhe sesa dy mandate. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për qarqe të tilla me numër të madh mandatesh si Fieri, apo Elbasani. Nga ana tjetër, edhe në qarqe ku pritet të dominojë PS-ja, në qarkun e Vlorës, PD-ja dhe koalicioni i saj mund të rikuperojë në qarqe të njohura si bastione të së djathtës, si në qarkun e Shkodrës apo të Dibrës. Por sërish diferenca pritet që të jetë mjaft e vogël ndaj njëra-tjetrës. Një gjë e tillë praktikisht e bën të pamundur mundësinë që koalicioni i PS-së apo koalicioni i PD-së të fitojnë të vetme numrin prej 71 deputetësh në këto zgjedhje. E vetmja gjë që mund t’i sigurojë një koalicioni të vetëm të drejtën për të qeverisur i vetëm është vetëm mundësia e arritjes së një fitoreje mjaft të thellë, me diferenca shumë të mëdha votash në të paktën 4 qarqe kryesore.

Koalicionet e tjera
Një tjetër faktor që mund të shtonte mundësitë e dy koalicioneve të mëdha, të PS-së dhe të PD-së, për të fituar të vetmet zgjedhjet, do të ishte mundësia nëse dy koalicionet e tjera, ai i udhëhequr nga LSI-ja dhe koalicioni “Poli i lirisë” do të dështonin të kalonin pragun elektoral në secilin prej 12 qarqeve. Por ndërsa moskalimi i pragut për koalicionin e LSI-së apo të Polit të Lirisë mund të ndodhë në qarqet me numër shumë të pakët deputetësh, në qarqet e mëdha, si LSI-ja, ashtu dhe Poli i Lirisë pritet të sigurojnë mandate deputetësh për shkak të pragut të ulët elektoral në qarqet e mëdha. Për më tepër, koalicioni “Aleanca socialiste për integrim” e drejtuar nga LSI-ja dhe ish-kryeministri Meta, duke qenë se kanë një elektorat tashmë të konfirmuar në nivel 9-10%, konsiderohet edhe çelësi kyç për krijimin e qeverisë së re, të paktën sipas disa analizave politike nga disa institute ndërkombëtare. Për të gjitha këto arsye, dy koalicionet e mëdha, PS dhe PD, duket se do të jenë të destinuara që të krijojnë aleanca paszgjedhore me koalicionet e tyre natyrale, respektivisht me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Polin e Lirisë, në të cilin bëjnë pjesë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar dhe Partia Demokristiane.

10 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›