E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi-Hart: Policia ka një rol të rëndësishëm në zgjedhje



Presidenti Bamir Topi dhe përfaqësuesi i ICITAP-it në Shqipëri, Darrel Hart, kanë vlerësuar rolin e Policisë së Shtetit në menaxhimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Ndërsa presidenti Topi i ka cilësuar këto zgjedhje të rëndësishme përsa u përket proceseve integruese të vendit. Këto deklarata i bënë gjatë ceremonisë së dekorimit me Medaljen e Mirënjohjes të drejtuesit të ICITAP-it, misionit amerikan në ndihmë të Policisë së Shtetit në Shqipëri. Hart vlerësoi progresin e bërë dhe reformat e kryera në strukturat e Policisë së Shtetit vitet e fundit duke e falënderuar kryetarin e shtetit për nderimin e lartë dhe shprehu bindjen në vijim e bashkëpunimit me strukturat e shtetit shqiptar. “Presidenti Topi, është vërtet një nder shumë i madh për mua dhe ndihem i prekur nga kjo medalje! Mundësia që m’u dha personalisht dhe profesionalisht, si për mua, ashtu dhe për familjen time të jetoj në Shqipëri ka qenë një përvojë e veçantë jetësore, të cilën do ta ruajmë deri në fund të jetës sonë. Nuk ma priste mendja kur vizitova për herë të parë Tiranën në 1995 se sot, pas kaq e kaq vitesh do të gjendesha këtu pasi kisha përjetuar këtë zhvillim të jashtëzakonshëm të popullit tuaj, për të cilin Shqipëria duhet të jetë shumë krenare. Edhe një herë ndihem i nderuar që jam pjesë e këtij zhvillimi”, - është shprehur Hart.
Më tej biseda u përqendrua në zhvillimet më aktuale në Shqipëri, ku një vëmendje e posaçme iu kushtua ecurisë së procesit zgjedhor në vend. Në këtë kontekst u vlerësua nga bashkëbiseduesit se Policia e Shtetit do të ketë një rol vendimtar në ruajtjen e klimës zgjedhore dhe në mbarëvajtjen e këtij procesi elektoral, që për vendin tonë mbart një rëndësi të madhe, në kuadër të integrimit euroatlantik. Në ceremoni ishin të pranishëm ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë Xhon Uidhers dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi.

10 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›