Meta, takim në Bathore: “Qeverisja e LSI-së do ta nxjerrë këtë zonë nga varfëria”
Lideri i LSI-së, Ilir Meta, së bashku me kandidatin për deputet, Luan Rama, zhvilloi dje një takim me qindra banorë të zonës së Bathores në bashkinë e Kamzës. Gjatë këtij takimi Meta tha se alternativa e LSI-së do ta nxjerrë jo vetëm këtë zonë nga varfëria e thellë, por do ta nxjerrë vendin nga kriza dhe përmes Planit për Veprim do të garantojë zhvillim dhe integrim për shqiptarët. Kreu i LSI-së tha se 28 qershori është një moment shumë i rëndësishëm për të ardhmen e shqiptarëve. Ai shprehu bindjen se shqiptarët do të votojnë për alternativën e LSI-së, e cila do ta nxjerrë vendin nga kriza. “Vetëm pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 28 qershorit, një moment shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit tonë dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë, që është pikërisht ndarja me keqqeverisjen që rrit varfërinë dhe pasigurinë për jetën tuaj dhe të fëmijëve tuaj, që është vota për LSI-në si alternativa që mendon për shqiptarët, që zgjidh problemet e tyre më jetike, me një program tepër konkret dhe të qartë. LSI-ja, si asnjë alternativë tjetër, i bashkon të gjithë shqiptarët, sepse LSI-ja ka programin më të qartë dhe më konkret për atë që kërkojnë më shumë shqiptarët sot, që është punësimi i qëndrueshëm, garancia për të ndërtuar një jetë me dinjitet për familjet shqiptare dhe për fëmijët tuaj. Këtë garanci e jep Plani i Veprimit të LSI-së dhe Ilir Meta, i cili ka bërë së bashku me një ekip të mrekullueshëm një program tërësisht të realizueshëm, që për 4 vjet do të ndryshojë tërësisht jetën tuaj. Ilir Meta dhe LSI-ja nuk premtojnë ndërtimin e centraleve bërthamore, që nuk i duhen Shqipërisë, nuk premtojnë ndërtimin e termocentraleve që helmojnë Shqipërinë, turizmin dhe shëndetin e qytetarëve tanë, por Ilir Meta dhe LSI-ja kanë programin më të qartë, më konkret dhe më të thjeshtë, që i fut shqiptarët në punë gjatë 4 viteve që vijnë”, - tha Meta. Ai i garantoi banorët edhe për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së legalizimeve.
10 Qershor 2009