Gjinushi: Reforma, nga pavarësia e institucioneve
• Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, u shpreh dje në një prononcim për mediat, se "reforma në sistemin e drejtësisë duhet të nisë me garantimin e pavarësisë së institucioneve".Duke komentuar tryezën e thirrur dje nga KLD-ja, lidhur me rrugët e reformimit të sistemit të drejtësisë, Gjinushi tha, se "për PSD-në reformë në radhë të parë do të thotë zbatim i ligjit. Shqipëria nuk vuan nga mungesa e ligjit, por nga zbatimi i tij. Ndaj ne kërkojmë që të bëhet reforma e parë dhe e vetme që institucionet të fitojnë pavarësinë, të bëhen garant të ligjit, duke filluar nga presidenti, Kuvendi e organet e tjera. Vetëm atëherë mund të kesh garanci për të bërë reforma reale". "PSD-ja paralajmëron se kush tenton të bëhet pjesë e kësaj reforme në këto kushte, vetëm legjitimon këtë grusht institucional të bërë në mënyrë permanente, pra i fut një grim këtij sistemi që ka vendosur kryeministri në goditjen e drejtësisë dhe institucioneve. Ne nuk bëhemi pjesë e fasadës. Kush tenton të bëhet do të zhgënjehet, siç është zhgënjyer më parë", theksoi kryetari socialdemokrat. Gjinushi injoroi tryezën e KLD-së për reformën në drejtësi. Sipas tij, "shumica parlamentare kërkon thjesht që, nëpërmjet reformës në drejtësi, të mbulojë veprimet antikushtetuese dhe ilegjitime që ka kryer deri më sot". "Duhet kuptuar se konflikti prej kohësh nuk është midis pozitës dhe opozitës, por është një konflikt i hapur midis shumicës dhe institucioneve të pavarura, ku hap pas hapi po vendoset kontrolli i paligjshëm i kësaj shumice", u shpreh Gjinushi.