Meta: Rinia të ndryshojë politikën
• Lëvizja Rinore për Integrim zhvilloi dje Konventën e Parë Studentore në sallën e Teatrit të Operës.Aristir LumeziKreu i LSI-së Ilir Meta duke përshëndetur rininë studentore që kishte mbushur sallën e teatrit tha, se "ëndrra për në Evropë mbetet e largët". "Sot 17 vjet më pas edhe pse vendi ka ndryshuar jo pak, përsëri Evropa është një ëndërr. Na duket sikur gjërat kanë ngecur dhe kemi hyrë në një rreth vicioz, të cilin nuk e thyejmë dot. Por me këtë rini që shoh këtu, jam i bindur që ky rreth vicioz do të thyhet në radhë të parë nga ju dhe bashkëmoshatarët tuaj". Duke përshëndetur studentët që kishin mbushur sallën, Meta u shpreh, se "më lejoni të hedh vështrimin 17 vite më parë, atëherë kur Shqipëria përpiqej që të ndahej nga një sistem, i cili e kishte mbaruar me kohë rolin e tij, atëherë kur rinia e Shqipërisë, kur studentët e Shqipërisë ishin ata që me guximin, besimin dhe me sinqeritetin e tyre e ndihmuan Shqipërinë të ndahej me një të kaluar që nuk prodhonte më të ardhme dhe të hynte në një rrugë të re, në atë të demokracisë dhe të integrimit evropian". "Na ndodh që të biem edhe në dëshpërim, edhe në mërzi pasi duket sikur gjërat kanë ngecur dhe kemi hyrë në një rreth vicioz, të cilin nuk e thyejmë dot. Por me këtë rini që shoh këtu, jam i bindur që ky rreth vicioz do të thyhet në radhë të parë nga ju dhe bashkëmoshatarët tuaj", theksoi Meta. Kreu i LSI-së kërkoi nga të rinjtë të jenë aktivë në politikë për të vendosur fatet e tyre. "Kjo është arsyeja që pjesëmarrja e rinisë në politikë, nuk është vetëm një domosdoshmëri vetëm për LRI-në, por është një domosdoshmëri për të ndryshuar politikën shqiptare në mënyrë që ju të mos i lini më fatet e gjeneratës suaj, atyre që nuk punojnë dhe që nuk mendojnë për të ardhmen tuaj", shtoi Meta. Më pas kreu i LSI-së përgëzoi rolin aktiv të LRI-së në ngritjen e shqetësimeve dhe problematikave që ajo ka. "Unë dua t'ju përshëndes për atë solidaritet dhe atë shpirt sakrifice që LRI-ja ka treguar gjithë kësaj periudhe, duke organizuar shumë aktivitete në shumë rrethe të vendit", u shpreh Meta, duke evidentuar aktivitetet mbi temën për arsimin e lartë, domosdoshmërinë e reformave të qëndrueshme, luftën kundër fiktivitetit të këtij arsimi, që kanë qenë gjithmonë temë e debateve që LRI-ja ka hapur me Ministrinë e Arsimit dhe opinionin publik. Kreu i LSI-së ka evidentuar disa nga problemet e sistemit arsimor, që duhen zgjidhur urgjentisht. "Ne e dimë se sa larg standardeve që kërkon Karta e Bolonjës ndodhet sot vendi ynë. Ne e dimë se sa shumë është cenuar niveli i mësimdhënies për shkak të standardeve që kemi sot. Sepse ne e dimë se raporti pedagog-student sipas Kartës së Bolonjës, duhet të jetë 1 me 15-20, ndërsa standardet tona janë 1 me 60", tha Meta.Rezolutë për problemet e arsimitLRI-ja dhe studentët nga të gjitha universitetet e vendit hartuan dhe një rezolutë në adresë të qeverisë shqiptare dhe institucioneve kryesore, që merren me problemet e rinisë studentore, ku preken çështjet e Maturës Shtetërore, implementimin i Kartës së Bolonjës, infrastrukturës universitare, master-plani i arsimit të lartë, etj.KonventaDje LRI-ja, ndryshe nga çdo forcë tjetër politike, mblodhi për herë të parë Konventën Studentore. Më shumë se një mijë studentë nga universitetet e të gjithë Shqipërisë, por edhe gjimnazistë maturantë që presin të bëhen studentë vitin e ardhshëm, mbushën dje sallën e TOB-it. Pjesëmarrësit që morën fjalën, evidentuan disa prej shqetësimeve të rinisë studentore në mbarë vendin, duke shprehur edhe ide dhe alternativa se si mund të shkohet drejt zgjidhjes së tyre. Studentë nga të gjithë universitetet e vendit u përpoqën të shprehnin problemet kryesore që i shqetësojnë në auditorët e tyre.