Topi: Marrëdhënie shumë të mira me Kuvajtin
• Presidenti Bamir Topi priti dje në një takim kryeministrin e Kuvajtit, Sheikun Naser Mohamed Al Ahmad Al Sabah dhe delegacionin që e shoqëron, gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë.Gjatë takimit, kreu i shtetit çmoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve të hershme mes dy vendeve tona. Topi vuri në dukje se shkëmbimet e vizitave të niveleve të larta politike jo vetëm i forcojnë këto marrëdhënie edhe më tej, por ofrojnë mundësi të reja edhe për rritjen e bashkëpunimit në fusha të ndryshme si në ekonomi, energjetikë, turizëm, etj. Presidenti Topi paraqiti reformat e ndërmarra nga vendi ynë për fuqizimin e shtetit të së drejtës, thellimin e reformës në drejtësi dhe asaj zgjedhore, si edhe për përmbushjen e standardeve që do të mundësojnë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe Bashkimin Evropian. Nga ana e tij, kryeministri kuvajtian theksoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe, ndërsa theksoi gatishmërinë e shtetit të tij për të rritur bashkëpunimin në të gjitha fushat. Al Sabah i përcolli presidentit Topi përshëndetjet e përzemërta të Madhërisë së Tij, Emirit të Kuvajtit, Sheikut Xhaber Al Ahmad.