Rama: T'i japim jetë një politike të re në Shqipëri
• Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vazhdoi dje turin e takimeve "Dialog me Shqipërinë" në rrethin e Librazhdit. Në qendër të takimeve të zhvilluara në qytet dhe komuna, kanë qenë problemet e furnizimit me ujë dhe energji të banorëve të kësaj zone. Në takimet e zhvilluara, Rama u shpreh se është koha që në Shqipëri të marrë jetë një politikë e re e ujit, e dritave dhe e punësimit. "Vendit t'i japim një politikë të re, një politikë të njerëzve, me njerëzit dhe për njerëzit. Një politikë të dritës, një politikë të dijes, një politikë të punës, një politikë të prodhimit, një politikë të Shqipërisë evropiane", tha Rama. Në takimet që zhvilloi në komuna të rrethit të Librazhdit, Rama shoqërohej edhe nga deputeti socialist i zonës Taulant Balla. Sipas kreut socialist, "sot kur më shumë se çdo gjë tjetër duhet një idealizëm i ri për Shqipërinë, e cila është për fatin e keq dhe për turpin e politikanëve të saj e treta në botë për korrupsion". "Shqipëria ka një klasë politike të paaftë dhe të korruptuar, sepse ka prej 17 vjetësh që jeton në kthetrat e një politike të vjetër dhe të korruptuar. Duhet një idealizëm i ri për një Shqipëri, e cila sot ka mungesë të energjisë elektrike, të ujit", theksoi Rama. Sipas kreut socialist, "sot duhet një idealizëm i ri për një Shqipëri, e cila sot është e treta në botë për korrupsion sepse ka një qeveri të paaftë dhe të korruptuar, sepse ka një klasë politike të paaftë dhe të korruptuar, sepse ka prej 17 vjetësh që jeton në kthetrat e një politike të vjetër dhe të korruptuar".