Turbina në UEFA, FSHF shkeli rregulloren
• Në kampin e Turbinës duket se është sosur durimi lidhur me vendimet e Komisionit të Disiplinës dhe atij të Apelit të FSHF që ka të bëjë me aktivizimin e një futbollisti të dënuar me karton në ndeshjen e cërrikasve me Bilisht Sport.Madje, thuhet se klubi "Turbina" do t'i drejtohet gjykatës së UEFA-s. Jo vetëm ky fakt, por dhe me disfatën e pësuar në Lushnjë është ulur ndjeshëm dhe optimizmi në kampin cërrikas. Formacioni i teknikut Vasil Ruci, ndonëse me ambicie të larta për këtë sezon, i është larguar objektivave, gjë e cila ka ardhur si rrjedhojë e humbjeve në transfertë. Në 7 sfida të zhvilluara jashtë Cërrikut, kontigjenti i drejtuar prej Rucit ka humbur pesë të tilla, ka fituar një dhe po kaq ka barazuar. Këta tregues qëndrojnë larg objektivave ambiciozë për këtë sezon, edhe pse për këtë, cërrikasit fajësojnë gjykimin. Drejtuesit kanë kontestuar për këtë edhe në FSHF.