E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, PS-ja nënshkruan paktin e bashkëpunimit me Sindikatën e Minatorëve

Minatorët do të mbështesin me vota më 28 qershor Partinë Socialiste. Partia Socialiste do të angazhohet në qeverisje për plotësimin e kërkesave të minatorëve

Shaban Sulçe

Partia Socialiste dhe Sindikata e Minatorëve të Shqipërisë kanë nënshkruar dje një marrëveshje angazhimi me njëra-tjetrën, e cila është firmosur nga kryetari Edi Rama dhe kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri. Vetëm pak ditë përpara zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare, Sindikata e Minatorëve të Shqipërisë, duke vlerësuar se vetëm Partia Socialiste e Shqipërisë mund të përfaqësojë denjësisht interesat e minatorëve të Shqipërisë, si dhe duke vlerësuar programin, ka vendosur se do të mbështesë alternativën e Partisë Socialiste të Shqipërisë, e cila, sipas kësaj sindikate, ka programin më të mirë qeverisës dhe vizionin e duhur politik për drejtimin e vendit.

Sindikata

Sindikata e Minatorëve angazhohet përmes kësaj marrëveshjeje që t’u bëjë thirrje të gjithë minatorëve të Shqipërisë dhe familjeve të tyre për të votuar alternativën socialiste, si pjesë e koalicionit “Bashkimi për ndryshim” në zgjedhjet e qershorit 2009. Sindikata e Minatorëve angazhohet nëpërmjet kësaj marrëveshjeje që të vërë në shërbim të fushatës zgjedhore 2009 për Partinë Socialiste të Shqipërisë të gjitha degët dhe nëndegët e veta, të gjitha mjetet dhe kapacitetet që disponon, në mënyrë që secila votë e minatorëve, familjeve dhe rrethit të tyre fisnor e shoqëror të jetë në favor të Partisë Socialiste të Shqipërisë.

PS-ja
Ndërkohë, Partia Socialiste e Shqipërisë, duke vlerësuar se integrimi social dhe ekonomik i minatorëve të Shqipërisë dhe e bindur se shoqëria shqiptare u detyrohet minatorëve dhe familjeve të tyre, të cilët në këto 18 vite të mundimshme tranzicioni nuk kanë përfituar atë që i takon nga të ardhurat që shteti mbledh nga puna që ato kryejnë, angazhohet se do të jenë në kontakt të vazhdueshëm me Sindikatën e Minatorëve të Shqipërisë, duke komunikuar e më vonë formuluar instrumentet konkrete për plotësimin e kërkesave të tyre. Partia Socialiste ka pranuar se është dakord në parim me kërkesat e minatorëve të Shqipërisë, të përfaqësuar nga Sindikata, dhe siguron se do të sensibilizojë, në çdo rrethanë, Kuvendin e Shqipërisë mbi çështjet e minatorëve dhe do t’i mbështesë ato. Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Sindikata e Minatorëve të Shqipërisë do të intensifikojnë maksimalisht punën e tyre, në mënyrë që në afate minimale të realizohet një mirëkuptim, konsultim dhe bashkëveprim më i gjerë i Partisë Socialiste të Shqipërisë me grupime të tjera interesi apo sindikale, në favor të nxitjes së moralit dhe egos qytetare për t‘u vetaktivizuar e për t‘u bërë pjesë dhe përfituese e politikës së re.

11 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›