E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjinushi: Të vetëm në zgjedhjet e 2009

Socialdemokratët do të dalin më vete në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009. 

aristir lumezi

Ky ishte vendimi i marrë nga Këshilli Drejtues Kombëtar i PSD-së i mbledhur dje. Ishte kryetari socialdemokrat, Skënder Gjinushi, i cili ka deklaruar edhe vendimin e forumit të lartë drejtues të kësaj partie. "PSD shpall fillimin e fushatës elektorale, pra përgatitjes së saj për zgjedhjet parlamentare të 2009-ës. PSD-ja do të konkurrojë në çdo qark, sipas ligjit të ri, me listën e saj, duke synuar rezultat dinjitoz. Taktikat zgjedhore do të varen nga Kodi Zgjedhor", u shpreh Gjinushi. Kreu socialdemokrat i ktheu në këtë mënyrë përgjigje heshtjes dhe injorimit që socialistët i kanë bërë kaq kohë propozimeve të tij. Projekti për një federatë të majtë mes PS dhe PSD, duket se është lënë në hije nga socialistët. Por edhe propozimet e Gjinushit për formulën e bashkëpunimit para zgjedhjeve dhe pas tyre, nuk janë marrë seriozisht nga socialistët, duke mos e bërë aleatin e tyre pjesë të diskutimeve për reformat dhe strategjive zgjedhore. Kjo ka bërë që socialdemokratët të mendojnë seriozisht për zgjedhjet e ardhshme, duke ndezur motorët elektoralë dhe riorganizimin e partisë në funksion të tyre. Por duket se qëndrimi i ftohtë i socialistëve ndaj socialdemokratëve, ka ardhur dhe nga pozicionimi i PSD-së në favor të referendumit popullor për ndryshimet kushtetuese të bëra në 21 prill nga dy partitë e mëdha, PS-PD. Madje, edhe Këshilli Drejtues Kombëtar ka denoncuar vendimin e marrë dy ditë më parë nga KQZ-ja për referendumin. "84 votat treguan se dhe në kushtet e çarjes së të majtës apo mercenarizmit, përsëri japin një president më të pavarur se sa me një shumicë të thjeshtë, prandaj PSD ka qenë kundër ndryshimeve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit dhe vlerësojmë se vendimi i KQZ është një skandal i radhës, ku KQZ, pasi zëvendësoi popullin e Vlorës në 2007, vendosi të zëvendësojë popullin e Shqipërisë në 2008-ën, e mesa duket KQZ-ja meriton vetëm fjalën 'një komision që duhet larguar', është i vetmi ndryshim mesa duket pozitiv në Kushtetutë i bërë kohët e fundit", tha Gjinushi. Socialdemokratët, pasi dështoi skema për krijimin e federatës së majtë, PS-PSD, shprehen se nuk mund të ketë qeveri të majtë pa pjesëmarrjen e PSD-së, duke i kërkuar kështu socialistëve që të marrin në konsideratë peshën e tyre elektorale. "PSD është forca çelës dhe përcaktuese në fitoren e të majtës më 2009-ën. Ajo mbetet forca më e qartë dhe më garantuese e bashkimit të së majtës. Bashkimi nga ne është kërkuar, sepse kjo është një kërkesë e gjithë elektoratit të majtë, dhe jo si një mjet për mbijetesën apo konkurrencën e PSD-së. Vlerësojmë se nuk ka qeverisje dhe fitore në `09 pa kontributin dhe rolin e PSD-së", tha Gjinushi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›