E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka: PD-PS po mbajnë peng reformën zgjedhore

Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, akuzoi dje dy partitë e mëdha se po mbajnë peng kryerjen e reformës zgjedhore. 

Duke folur në një takim me të zgjedhurit lokalë të PDK-së, Ndoka tha se, "sado që dy partitë e mëdha politike, në marrëveshje të pandershme midis tyre po mbajnë peng formulat elektorale, e sigurt është se pesha kryesore e zgjedhjeve të ardhshme do të jenë rajonet, njësitë lokale të vendit. Në sistemin e ri zgjedhor ju do të keni një përgjegjësi politike më direkt dhe më të madhe për t'u për përballur me elektoratin", u shpreh lideri demokristian. Gjithashtu ai nuk la pa përmendur edhe precedentin e dy zv.ministrave të shkarkuar tashmë, Bushati e Gurakuqi. "I keni dëgjuar deklarimet publike: sa herë unë, grupi parlamentar apo kryesia e partisë bën një deklaratë politike, përgjigjen nuk e marrim nga kundërshtari ynë politik, PS-ja, por nga ky grup shërbëtorësh të radhës! Këto paradokse duan kohë të marrin fund, sepse edhe tranzicioni politik në Shqipëri ende kërkon kohë për t'u shkëputur tërësisht nga mentalitete dhe forma komuniste të luftës politike", theksoi Ndoka. Njëkohësisht dje zyrtarizuan kalimin te PDK-ja edhe disa këshilltarë të partive të tjera të djathta, si Frang Leshi (LZHK); Gëzim Macani (PAA); Selman Nikolli (PDR); Tahir Xanxi (PDR); Jashar Veizi (PDR).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›