PS: Më 8 Mars, në protestë për 30 viktimat
Gratë socialiste paralajmërojnë se do të protestojnë në shesh, për humbjen e jetëve, si pasojë e shpërthimit në Gërdec dhe vrasjen e 4 qytetarëve më 21 janar
TIRANË- Më 8 mars, gratë socialiste do të jenë në shesh, përballë Kryeministrisë, për të protestuar për humbjen e 30 jetëve, si pasojë e shpërthimit në Gërdec dhe vrasjes së katër qytetarëve më 21 janar. “30 viktima është bilanci i përfshirjes së drejtpërdrejtë të këtij pushteti vrasës, si autor i krimeve, mbi shqiptarët. 30 jetë të humbura që kërkojnë drejtësi, ndëshkimin e përgjegjësve që këto krime të mos përsëriten më. Këto 30 jetë të humbura janë faji i Sali Berishës. Për këta 30 shqiptarë, ne do të jemi në shesh më 8 mars. Si nëna, motra, bija të tyre, do të protestojmë përpara se ky pushtet vrasës të marrë të tjera jetë. Në Shqipërinë që synon integrimin Europian, nuk mund të ketë krim pa ndëshkim, edhe kur autor është pushteti. Ne do të protestojmë për jetët që pushteti ka marrë, për t’u pasuruar vetë financiarisht, për 30 aktet e pashembullta të vrasjes nga oborri i Sali Berishës. Vrasësit nuk mund të vazhdojnë të jenë në pushtet pas krimeve, e këto 30 thirrje për drejtësi do të na çojnë të gjithave në shesh, më 8 mars, për të kërkuar shtetin e së drejtës, në emër të tyre e në emër të së ardhmes sonë”, tha dje deputetja e PS-së, Shegush Ligori. Ajo shtoi se, shteti i së drejtës fillon te barazia e të gjithëve përpara ligjit, pavarësisht nëse këta janë pushtetarë, familjarë, apo thjesht shërbëtorë të pushtetit. “Shteti i së drejtës njeh ligjin përpara tarafit, drejtësinë e jo pandëshkueshmërinë. Shqipëria e Sali Berishës nuk është një shtet i së drejtës”, - shtoi ajo.