PD e PS, votë enigmë për Gjykatën e Lartë
Pavarësisht se komisioni kaloi parimisht me konsensus të gjashtë dekretet e Presidentit Bamir Topi për anëtarë në Gjykatën e Lartë, vota e dy partive të mëdha që caktojnë fatin e tyre, mbetet ende enigmë. Kjo sepse të dyja palët ia kanë deleguar grupit kuvendor marrjen e vendimit. Të paktën nga ana e Partisë Socialiste, emrat do të shkojnë të gjithë në mbledhjen e grupit dhe aty do të vendoset se çfarë qëndrimi do të mbahet më tej. Megjithatë, ajo që vihet re është se kandidatët do shqyrtohen individualisht dhe jo në bllok, siç ndodhi herën e parë. “Pa dyshim që ka një vendim grupi, pasi ka një diskutim në grup, siç ka një diskutim edhe në komision, siç ka një diskutim në seancë plenare, por në fund fare deputetët janë të lirë sepse vota është individuale, sepse është votë e fshehtë në fund të fundit. Por pa dyshim që ka një diskutim në çdo grup, dhe kjo është normale për grupe politike serioze, siç unë mendoj që është grupi i PS-së”, - tha Xhafa në lidhje me këtë çështje. Megjithatë, është ende herët për të dhënë një përcaktim mbi votat e dy partive të mëdha, pasi këtë herë vota mund të jetë selektive dhe jo në bllok, pro ose kundër. E vetmja parti që ka konfirmuar votën pro deri tani është vetëm LSI-ja. Anëtari i saj në komision, Spartak Braho, tha dje se deputetët e grupit kuvendor të LSI-së do të votojnë pro dekreteve të Presidentit Topi.